E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama i vendosur, urdhëron deputetët e PS-së të mos e dorëzojnë të gjallë Ramiz Alinë

Kuvendi miraton ngritjen e komisionit hetimor për masakrimin e 4 mijë të rinjve shqiptarë në Tivar

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka zyrtarizuar dje Ramiz Alinë si udhëheqës suprem, i cili komandon dhe dikton politikën e brendshme të opozitës. Mjaftoi qëndrimi në Kuvend, që PS të faktohet si azili i ish kasapit të fundit të regjimit komunist 45 vjeçar në vend. Gjatë diskutimeve të ngritura nga përfaqësuesit e mazhorancës, për masakrën e rëndë të Tivarit, ku mbetën të vrarë afro 4 000 të rinj shqiptarë të Kosovës, opozita shqiptare ka demonstruar një akt të turpshëm, duke mbrojtur autorin apo përgjegjësin kryesor të kësaj masakre.
Partia Demokratike ngriti si çështje që duhet trajtuar me seriozitet, gjatë shqyrtimit të projektvendimit “Për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të masakrës së Tivarit – 1945”, nismë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, masakrën e Tivarit, duke i kërkuar palës opozitare të marrë pjesë në dënimin e këtij akti të pastër gjenocidi, ku të përfshirë në të ndodhen dhe ish zyrtarë të lartë të regjimit komunist.
Kreu i grupit parlamentar të demokratëve, Astrit Patozi tha dje nga foltorja e Kuvendit se në këtë ditë PS duhet të bashkohej me mazhorancën. Reagimi i deputetit demokrat erdhi pas vendimit të socialistëve për të mos votuar ngritjen e komisionit hetimor për masakrën më të rëndë që është bërë ndonjëherë kundër popullsisë shqiptare.
“Koha është që kjo masakër të zbardhet. Për këtë Partia Demokratike ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor, për të ndriçuar gjenocidin më të rëndë që i është bërë popullsisë shqiptare. Xhesti i grupi parlamentar të Partisë Socialiste, për të mbajtur një minutë heshtje për viktimat e masakrës së Tivarit është një fals pasi PS-ja duhet të bashkohej me nismën e mazhorancës, për të hetuar këtë ngjarje makabre”, deklaroi në fjalën e tij kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi.
Lidhur me këtë projektvendim, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi shprehu qëndrimin kundër ngritjes së këtij komisioni, duke argumentuar se kjo ngjarje po tentohet të përdoret politikisht nga ana e mazhorancës.
Nga ana e saj kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u shpreh se Kuvendi merr një përgjegjësi të madhe për të hedhur dritë mbi një ndër masakrat më të përgjakshme. Kryetarja e Kuvendit duke iu drejtuar deputetëve socialistë tha se ky ishte rasti që PS të tregonte përgjegjshmërinë duke sjellë emrat në komisionin hetimor dhe duke iu bashkuar mazhorancës në këtë nismë të saj. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi duke shprehur keqardhje për qëndrimin e Partisë Socialiste nënvizoi se “Partia Socialiste kishte rastin e artë për të shkëputur veten nga e kaluara”.
Duke e quajtur masakrën e Tivarit si “Katini i Ballkanit” kreu i Grupit Parlamentar të PD-së tha se opozita duhet t’i ishte bashkuar mazhorancës për të ndriçuar këtë ngjarje nga më të rëndat në historinë e kombit.
Pasi u njohën nga Kryetarja e Kuvendit me projektvendimin “Për ngritjen e komisionit hetimor për hetimin e fakteve, rrethanave dhe përgjegjësive të masakrës së Tivarit – 1945” dhe me përbërjen e tij, deputetët e miratuan me shumicë votash. Me propozim të Kryetares Jozefina Topalli, Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave të masakrës së Tivarit. Objekt i kësaj nisme është hetimi parlamentar i një prej pikave më të errëta dhe më enigmatike të historisë së Shqipërisë, tragjike jo vetëm për nga humbjet e mëdha njerëzore të të rinjve shqiptarë, por njëkohësisht nga më makabret për skenarin e inskenuar në realizimin e saj.
Kjo nismë, e cila është në përputhje me nenet 77 dhe 78 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, synon zbardhjen dhe nxjerrjen e së vërtetës në dritën e diellit për këtë masakër, si një detyrim madhor për të përmbushur një kontribut të çmuar të Kuvendit në historinë kombëtare të popullit shqiptar.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›