“Edi Rama ka krijuar tension artificial në Shqipëri, s’ka patur asnjë cenim të procesit të zgjedhjeve”
Miratimi i Rezolutës, impakt pozitiv, europarlamentarët dënojnë bojkotin. Përfaqësuesi i PPE, Renato FarinaBojkoti është çështja kryesore që është diskutuar dhe në gjirin e sesionit të Asamblesë Parlamentare të KE. Shumica dërrmuese e kësaj organizate e dënon bojkotin. Renato Farina, përfaqësuesi i grupit të Partisë Popullore Europiane, i cili prezanton qëndrimin e grupit për Shqipërinë, është shprehur se tensioni i krijuar nga opozita është një tension artificial i shkaktuar nga Partia Socialiste dhe se Edi Rama me sjelljen e tij po përcjell një imazh negativ të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. “Ne kemi një gjykim shumë negativ për sjelljen e Edi Ramës dhe partisë së tij, pasi për ne zgjedhjet kanë qenë të rregullta, ashtu siç është dokumentuar edhe nga monitorimi i Këshillit të Europës dhe OSBE. Përveç kësaj, dihet që një protestë civile nuk ushtrohet kurrë duke jolegjitimuar institucionet demokratike. Mund të bëhen protesta, mund të kërkohet edhe komision hetimor mbi zgjedhjet por kurrë duke braktisur një organ nga i cili varet jeta demokratike e një populli, pasi kjo është një tradhti e popullit”, u shpreh Farina. Përfaqësuesi i grupit të Partive Popullore në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Renato Farina ka qenë në Shqipëri si pjesë e delegacionit të KiE, që ka monitoruar procesin para dhe pas zgjedhor dhe mohon se në zgjedhjet e 28 qershorit ka pasur cenim të standardeve. “Unë kam parë se midis qytetarëve shqiptarë nuk ka asnjë tension. Ky tension është artificial dhe është krijuar nga Partia Socialiste. Të gjitha parametrat ishin në rregull. Pastaj isha dhe në dhjetor, për festën e demokracisë, ku ishte manifestimi Edi Ramës, që ishte një dështim krahasuar me mitingun e Berishës me gjysmë milion persona”, deklaroi ai. Për sa i takon rezolutës së KiE, ai u shpreh se do të ketë një raport pozitiv për Shqipërinë dhe bojkoti dënohet nga të gjithë europarlamentarët....