Rezoluta e KiE/Eurodeputetët, 56 vota ‘pro’ rikthimit të opozitës në Kuvend
Asambleja Parlamentare e KiE, miraton draft-rezolutën për Shqipërinë, ku i apelon opozitës shqiptare të rikthehet menjëherë në parlament, ndërsa po ashtu i sugjeron mazhorancës të ngrejë një komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit. Përfaqësuesit e KiE, morën në shqyrtim të gjitha amendamentet e përfaqësuesve të delegacionit shqiptar dhe aprovuan një pjesë të mirë të tyre, siç është heqja e termit “Krizë” politike dhe zëvendësimi me “Situatë politike” dhe heqjen e pjesës ku kërkohet ndërhyrja e komiteteve të Asamblesë së KiE në Tiranë.(UPDATE)- Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka miratuar pak minuta më parë projekt-rezolutën e dy raporterëve të KiE, David Wilshare dhe Jakko Laasko. Në draftin e hartuar në muajt e fundit të 2009-ës, i cili përmban 6 faqe dhe janë të përfshira 10 amendamente, vetëm 3 prej tyre u miratuan. Përfaqësuesit e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të KiE, Ilir Rusmaili dhe Lajla Pernaska, propozuan fillimisht dy amendamente, për të hequr termin “Krizë” dhe zëvendësimin me “Situatë politike” dhe heqjen e pjesës ku kërkohet ndërhyrja e Komiteteve të çdo forme të Asamblesë në Tiranë, propozime këto, të cilat u aprovuan nga Asambleja. Anëtarët e Asamblesë së KiE, shqyrtuan me imtësi të gjitha amendamentet dhe miratuan në tërësi draft-rezolutën, ku i bëhet thirrje opozitës shqiptare që të ndërpresë bojkotin dhe t’i rikthehet jetës parlamentare. Me 56 vota ‘pro’ Këshilli i Evropës miraton rekomandimet e dy reporterëve. Raporti që përmban 10 pika i bën apel politikës shqiptare të zhbllokojë në mënyrë urgjente situatën politike që ka bllokuar funksionimi normal i të gjithë institucioneve demokratike në vend. KiE i kërkon qeverisë shqiptare dhe opozitës ti japin fund krizës politike dhe të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre për të thelluar reformat e mëdha në vend. KiE i drejtohet me një thirrje të drejtpërdrejtë opozitës e cila duhet të kthehet në Parlament dhe të kontribuojë për ecurinë e reformave, ndërsa i kërkohet edhe qeverisë që në bashkëpunim me opozitën të ngrejë një komision hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar.Përfaqësuesja e Shqipëisë në KiE, Lajla Pernaska Pernaska kërkoi në Asamblenë e Këshillit të Evropës votimin e projektrezolutës, duke i bashkangjitur edhe amendamentet e saj. “Në bazë të rezolutës bëjmë thirrje për dialog, për një mirëkuptim mes forcave politike. Kur flas për rezolutën e kam fjalën edhe për amendamentet dhe përshkrimin real të situatës. Kjo projektrezolutë ka nevojë për këto amendamente”, u shpreh Përnaska. Ajo tha se Edi Rama bojkotin ftesat për dialog, duke e akuzuar kryesocialistin se po kërkon të luajë me politikën. “Në Shqipëri po përballemi me një situatë ku lideri i një partie politike po kërkon të luajë me politikën, duke rrezikuar progresin në këtë vend. Ai ushtron presion të madh në partinë e tij për të mos hyrë në Parlament. Opozita po i refuzon institucionet kushtetuese, kemi një situatë të tensionuar në Shqipëri por nëse e përshkruajmë situatën në mënyrë reale ajo nuk është e pakalueshme. Jemi me mendimin se bojkoti nuk duhet të vazhdojë, ai e përkeqëson politikën. Nëpërmjet kësaj rezolute duhet ta mbështesim integrimin e Shqipërisë, ju kërkoj të votoni për këtë rezolutë bashkë me amendamentet”, tha më tej Përnaska.Ilir Rusmaili Ndërsa, përfaqësuesi tjetër i delegacionit shqiptar në KiE, Ilir Rusmaili e filloi fjalën e tij me vlerësime për zgjedhjet e 28 qershorit duke nënvizuar se çdo votë e vetme është numëruar, regjistruar dhe firmosur nga komisionerë të të dyja palëve. “Zgjedhjet përmbushën shumicën e standardeve. Nuk pati asnjë provë që të vërtetonte se ka patur parregullsi në zgjedhje”- u shpreh Rusmaili, ndërsa shtoi se opozita refuzon verdiktin e popullit vetëm sepse nuk ka mandatin qeverisës. “Rama refuzon ligjin elektoral edhe pse e ka propozuar, refuzon parlamentin, ai refuzon të paraqesë prova në zyrën e prokurorisë edhe pse thotë se ka shumë të tilla për parregullsi në zgjedhje ai refuzon t’i paraqesë ato. Kërkesa për të ndalur bojkotin po vijnë nga të gjitha anët, këto thirrje duhen dëgjuar”, theksoi më tej deputeti demokrat, përfaqësues i Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Evropës, Ilir Rusmaili. Në emër të delegacionit shqiptar të pranishëm në Asamble, Rusmaili u bëri thirrje europarlamentarëve të votojnë amendamentet e paraqitura....