E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama, me kundërshtimin e ligjit të lustracionit, po mbron programin politik të etërve të tij shpirtërorë”

Zëdhënësi i PD-së Gerti Bogdani e cilëson dënimin e krimeve të komunizmit, si një detyrim madhor kombëtar dhe ndërkombëtar
 
 TIRANE - Partia Demokratike, ripërsëriti dje qëndrimin e saj kundër mbrojtjes së krimeve të komunizmit nga ajo që sipas PD-së, është shndërruar në “shtyllën kryesore të politikës së re të Edi Ramës”.
“Mbrojtja e dhjetëra e dhjetëra ekzekutimeve me gjyq dhe pa gjyq, internimeve, torturimeve të dhjetëra e mijëra burrave, grave dhe fëmijëve shqiptarë, në emër të parimit barbar dhe çnjerëzor të luftës së klasave, është shndërruar në shtyllën kryesore të politikës së re të z. Rama, apo ndryshe Mr. Dosjes”, deklaroi dje në emër të PD-ës, zëdhënësi i kësaj partie Gerti Bogdani.
Duke i kujtuar kreut të PS-ës, se “Rama duke mbrojtur mbi 10 mijë ekzekutime me gjyq dhe pa gjyq, të burrave dhe grave, të rinjve dhe të moshuarve shqiptarë, duke mbrojtur torturimet, internimet, dhe vdekjet nga uria dhe tortura në kampe internimi të mijëra qytetarëve shqiptarë të të gjitha moshave dhe gjinive, Edi Rama mbron njëkohësisht firmën e zezë të familjarëve të tij të afërt për ekzekutimin dhe varjen e intelektualëve të shquar të kombit shqiptar, nga ’46-’89, mbron bashkëpunimin e tij në klubet e ministrisë famëkeqe të brendshme të Shqipërisë, mbron pra programin politik të etërve të tij shpirtëror”, u shpreh më tej Bogdani.
“Partia Demokratike i deklaron këtij pinjolli të arkivave të krimeve të shëmtuara kundra njerëzimit, se kjo forcë politike, çështjen e dënimit të këtyre krimeve dhe barbarive e ka një detyrim madhor kombëtar, por edhe ndërkombëtar që buron nga konventa e Gjenevës. Përpjekjet e Ramës për të mbrojtur ato, i garantojnë Mr. Dosjes fundin që ai meriton në arkivat e krimeve që ai mbron”, përfundoi deklaratën e tij zëdhënësi i PD-ës, Gerti Bogdani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›