E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Keqardhje për Edi Ramën, që nuk mundet të gjejë kurajën të dënojnë krimet e komunizmit

Përkujtohet në Kelmend të Shkodrës, 64-vjetori i kryengritjes antikomuniste të Tamarës

TIRANE - “Shpreh keqardhjen që Edi Rama dhe një pjesë e Partisë Socialiste nuk gjejnë kurajën të kërkojnë falje, nuk gjejnë kurajën të dënojnë krimet e komunizmit”.
Kështu u shpreh dje, midis të tjerave Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila ishte e ftuar në përkujtimin e 64 vjetorit të kryengritjes antikomuniste në fshatin Tamar në Kelmend të Shkodrës. Kjo kryengritje ka hyrë në historinë  e Shqipërisë si lëvizja më e fuqishme krahas asaj të Postribës dhe ndër të parat lëvizje antikomuniste në Shqipëri dhe rajon.
Duke e cilësuar këtë datë të shënuar si një ditë të madhe reflektimi, Kryetarja e Kuvendit theksoi se kjo qeveri është e angazhuar plotësisht jo vetëm të respektojë këtë kategori martirësh por dhe të nderojë kujtimin e tyre si pjesë e ndritur e historisë së Shqipërisë.
“Në ligjin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politik do të përfshihen edhe familjarët e atyre që janë pushkatuar pa gjyq”, bëri të ditur më tej Topalli”.
Kryengritja e Kelmendit, e nisur në 25 janar të vitit 1945 vazhdoi për ditë të tëra ku qindra banorë të zonës kryesuar nga Prek Cali luftuan për përmbushjen e aspiratës së tyre për një Shqipëri të lirë e demokratike. Pas luftimeve të ashpra ata u rrethuan nga forcat e sigurimit të cilët vranë mbi 70 vetë mes të cilëve edhe gra si dhe dogjën me dhjetëra shtëpi.
“E kemi detyrim, tha Kryetarja e Kuvendit, së pari të kujtojmë dhe të përpunojmë të kaluarën më të zymtë dhe më te egër jo vetëm të zonës së Kelmendit e Shkodrës por të gjithë shoqërisë shqiptare. Duke dëgjuar numrin e jashtëzakonshëm të të vrarëve në krahasim me përqindjen e popullsisë, ajo që më bën përshtypje është forca e karakterit tuaj, forca e shpirtit tuaj, e prindërve dhe gjyshërve tuaj, që reflekton atë forcë të madhe  të natyrës me të cilën ju keni fatin të rrisni fëmijët tuaj. Unë, tha Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhjen që Edi Rama dhe një pjesë e Partisë Socialiste nuk gjejnë kurajën të kërkojnë falje, nuk gjejnë kurajën të dënojnë krimet e komunizmit. Kjo është një dhimbje e madhe Këtë e them për krerët e Partisë Socialiste që e kanë të vështirë të ndahen nga e kaluara dhe jo për atë pjesë të shoqërisë që ata përfaqësojnë”, shtoi më tej kryeparlamentarja, duke ju referuar qëndrimit të lidershipit të Partisë Socialiste për ligjin e lustracionit.
“Ky përkujtim, vijoi Kryetarja e Kuvendit, është një ditë e veçantë jo vetëm sepse është  moment reflektimi por edhe  pasi koencidon me vetëm dy ditë distancë para një feste shumë të madhe, që është një vjetori i pavarësisë së Kosovës. Kjo është një ditë e madhe për të gjithë ne dhe ne jemi shumë optimistë për të ardhmen e saj. Por një ditë tjetër e madhe është dhe e marta në mbrëmje kur parlamenti i fundit do të ratifikojë protokollin e NATO-s dhe me këtë mbyllet cikli i ratifikimit të këtij protokolli nga 26 vendet e Aleancës Atlantike që besojnë te  Shqipëria”, u shpreh më tej Jozefina Topalli.
“Shqipëria po ndryshon, Shqipëria ka ecur me ritme galopante në vitet e fundit dhe në katër vitet e mandatit tonë të ardhshëm Shqipëria do të vrapojë me ritme akoma më të shpejta, në ekonomi, në infrastrukturë, në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s, në lëvizjen e lirë të qytetarëve. Anëtarësimi I Shqipërisë në NATO realizon ëndrrën e të gjithë atyre që u martirizuan, u pushkatuan , dhe u trajtuan mizorisht për një Shqipëri të lirë demokratike. Gjatë këtyre tri viteve ne kemi vendosur shinat dhe bazat shumë të forta të zhvillimit. Në këto tri vite ne kemi te drejtë të shohin secilin qytetar të Shqipërisë, në çdo lagje, çdo qytet, fshat dhe komunë, drejt e  në sy”, u shpreh dje midis të tjerave Kryetarja e Kuvendit në Kelmend.
Duke renditur reformat e gjithanshme të qeverise dhe Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit u ndal veçanërisht në arritjet ekonomike, në këtë mandat të qeverisë së djathtë, sikurse janë dyfishimi i buxhetit, rritja e pagave të arsimtarëve, mjekëve, pensionistëve, në fshat e qytet, shtimit të bizneseve, si rezultat i ndryshimit të mentaliteti për investimet e huaja.
Kryetarja e Kuvendit tha se reformat  integruese kanë shkurtuar në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të mrekullueshme rrugën e anëtarësimit në NATO , dhe në BE me një ritëm unik të ratifikimit të MSA-së.
“NATO dhe BE ishin prioritete tonë në fillim të mandate dhe ne treguam se kishim vullnetin maksimal për të përmbushur ëndrrën e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, ku ajo meriton të jetë. Ne nisëm negociatat për liberalizimin e vizave dhe lëvizja e lirë e qytetarëve do të realizohet në mandatin tonë të ardhshëm, si prioritet. Ne, tha Kryetarja e Kuvendit kemi treguar se i mbajmë premtimet e bëra. Mbajeni mend, theksoi ajo, për dy vjet do të përfundojë aksi rrugor Hani i Hotit-Vermosh. Ne do ta mbajmë fjalën dhe në katër vitet e mandatit të dytë infrastruktura në të gjithë Shqipërinë do të zhvillohet akoma më shumë, Shqipëria do të vazhdojë ndryshimin”, përfundoi Kryetarja e Kuvendit.
Në këtë ceremoni përkujtimore mbajtën fjalën edhe përfaqësues të ish të përndjekurve politik, historian e studiues që revokuan sakrificën e të përndjekurve nga regjimi më i egër totalitar.
Kryetarja e Kuvendit vendosi edhe një kurorë me lule në memorialin e ngritur në nderim të kësaj lëvizje dhe të martirëve të lirisë të zonës së Kelmendit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›