Edi Rama merr me vete 300 punonjës bashkie për t’u mbajtur fjalim në Skrapar

Me minorenë që tundnin xhufka që s’kishin të bënin me Skraparin, Edvini është shfaqur i tmerruar dje në Çorovodë, duke shqiptuar ca fraza që u interpretuan si thirrje për ndihmë, që atë të mos e flakin përfundimisht nga jeta politike. Dështimi është parë edhe në sinkronet televizive, megjithëse ato kishin kaluar më përpara, tek zyra e censurës në selinë ylberiste
Edi Rama ka sulmuar ashpër Ilir Metën nga bastioni më i fortë i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe vetë zona elektorale e kreut të LSI-së, Skrapari. Retorika e fortë justifikohet gjerësisht me audiencën e importuar tërësisht nga Tirana, tashmë me 300 automjetet rutinë, që Bashkia e kryeqytetit vë në dispozicion, sa herë shefi ylberist i socialistëve, del jashtë qytetit, në ndonjë stacion që s’është Peza. Por audienca e importuar dje kishte edhe një detyrë të veçantë: së bashku me një grup fëmijësh e vajzash minorene (fenomen që meriton një vëmendje të posaçme, por që do ta trajtojmë më gjerë kur të përsëritet sakrilegji), me xhufka nëpër duar, që s’kanë asnjë lidhje me Skraparin, Edvini erdhi për të ridikulizuar bastionin e LSI-së, por edhe për të treguar se nuk ua do hiç mbështetjen, as atyre socialistëve të mbetur atje. Në foltoren e importuar bashkë me audiencën, Edvini nuk foli dje për skraparllinjtë, nuk foli as për të majtët, por lëshoi mesazhe ndihme ndaj politikës, në mënyrë që të mos e flakin përfundimisht, pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Skenari i kësaj ndihme nuk mund të përthyhej veçse me një sulm ndaj shefit të mazhorancës, Sali Berishës. Rama u shpreh se “politika e tij e re” nuk e konsideron Skraparin apo Shkodrën si bastione të atyre që zgjidhen, por si bastione të atyre që zgjedhin. “Nuk e konsideron Skraparin dhe Shkodrën si bastione të atyre që përfaqësojnë njerëzit, por të njerëzve që meritojnë të përfaqësohen më mirë, më denjësisht dhe që meritojnë që me votën e tyre, të marrin mbrapsht ato për të cilat votojnë. Nuk kam ardhur këtu për ta ndarë, por për ta bashkuar Skraparin. Nuk kam ardhur këtu për t’ju thënë pse nuk duhet të shikoni majtas dhe djathtas, por kam ardhur për t’ju thënë pse duhet të shikojmë drejt e përpara, për një politikë të re, e cila nuk është e politikanëve, por e qytetarëve. Sot është dita për të numëruar edhe sa ditë i kanë mbetur politikës pa shpirt, pa sy, pa vesh, e cila katandisi Skraparin dhe gjithë Shqipërinë, në një territor të sakrifikuar prej papërgjegjshmërisë, paaftësisë dhe korrupsionit të saj”. Duke numëruar i tmerruar ditët deri tek 28 qershori (132 ditë na tha dje Edvini), kryeylberisti u foli kollovarëve politikë të marrë nga Tirana se po kërkonte veç një hipotekë për të mbetur në politikë, qoftë edhe duke mbetur në opozitë, qoftë edhe duke hequr dorë nga bashkia. Dje në Skrapar, Edvinit iu lexua dëshpërimi që i kishte dalë në sipërfaqe, si ajo ekzema që shpërthen nga ndonjë faktor përshpejtues. Aq pak sa qenë skraparllinjtë vendalinj dje në sallën e Çorovodës dhe e detyruan Edvinin të klithte se s’kishte ardhur për të ndarë Skraparin dhe ta pasonte lojën politike tek Shkodra, tjetri element që i dhemb shumë e i duket se do ta rrënojë politikisht. Dje në Çorovodë u lexuan simbolet e humbjes në shkallë të gjerë të Edvinit, të cilat nuk mundën të fshiheshin as nga audienca bashkiake, e importuar nga Tirana, e as nga sinkronet televizive, të trukuara më përpara në zyrat e censurës, në selinë ylberiste.