E Diel, 1 Nëntor 2026

Memia: Pronësia për fshatrat turistikë nis pas datës 15 qershor



Agjencia e legalizimeve do të nisë procedurën për rregullimin e pronësisë për fshatrat turistikë në zonat bregdetare pas datës 15 qershor. Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Shaban Memia tha dje për gazetën se së shpejti do të nisë procedura për vilat në bregdet, të cilat preken nga ligji. Sipas drejtorit, pas datës 15 qershor, hyn në fuqi vendimi përkatës i Qeverisë dhe më pas nis procedura për rregullin e pronësisë së vilave në bregdet që preken nga ligji. "Pas datës 15 qershor hyn në fuqi vendimi i qeverisë. Subjektet e interesuara kanë 60 kohë për të dorëzuar kërkesën e tyre për kalimin e pronësisë", tha Memia, i cili u shpreh se ALUIZNI do të zhvillojë edhe një fushatë për këtë proces. Kështu në bazë të ligjit "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", specialistët e ALUIZNI-t do nisin procedurat për kontratat me të gjithë subjektet e prekura nga ky ligj. Me nisjen e kësaj procedure, që pritet të fillojë javën e ardhshme, subjektet që kanë vila në bregdet dhe që preken nga ky ligj do të duhet që brenda 6 muajve të shlyejnë të gjitha detyrimet ligjore e financiare që parashikon kontrata. Mendohet se janë gjithsej 32 fshatra turistikë që do të duhet të nënshkruajnë kontratat për kalimin në pronësi të truallit të tyre. Vendimi i Qeverisë parashikon që brenda periudhës 6-mujore, personat e prekur nga ligji për të përvetësuar truallin, duhet që të dorëzojnë pranë Agjencisë së Legalizimit dokumentacionin financiar, që vërteton kryerjen e pagesës. Më pas nis procedura e nënshkrimit të kontratës, që bën të mundur kalimin e të drejtës së pronësisë mbi truallin. Në rastin e kundërt, kur pagesa nuk është bërë plotësisht brenda afatit, subjekti apo personi e humbasin të drejtën për kalim të pronësisë dhe shuma e paguar deri në atë moment kthehet pas. "Në rastet kur subjekti i interesuar, personi i stimuluar kanë paguar një pjesë të çmimit të truallit, por nuk e kanë shlyer tërësisht pagesën, brenda afatit të parashikuar në pikën 2, të këtij vendimi, atij i humbet e drejta për të lidhur kontratën e kalimit të pronësisë dhe i kthehet shuma e paguar", thuhet në vendim. Vendimi i Qeverisë vlerëson edhe rastet e bashkë investimit dhe në këtë rast, nëse njëra nga palët nuk ka shlyer detyrimet e drejta për lidhjen e kontratës, i jepet vetëm palës që ka bërë pagesën. Subjektet do të paguajnë tokën, sipas vendimit të Qeverisë të datës 26 nëntor të vitit 2008, nr 1620, vendim i cili ka përcaktuar edhe hartën e vlerës së tokës në zonat bregdetare. Harta është përgatitur nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Referuar hartës së tokës, çmimi minimal në zonën e bregdetit, deri në 200 metra nga bregu, do të jetë 12 mijë lekë të vjetra ndërsa në vijën bregdetare të zonës së Durrësit, deri në 200 metra nga deti, do të paguhet me 30 mijë lekë për metër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›