Në fund të muajit paratë për pronarët
Erald Kapri
Ish pronarët e tokës të prekur nga procesi i legalizimit do nisin brenda qershorit procedurën për marrjen e këstit të parë të kompensimit prej 20 për qind të vlerës. Drejtori i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Elvis Cefa tha dje për gazetën "Panorama" se "pritet që të hyjë në fuqi vendimi përkatës i Qeverisë për fillimin e procedurave". Cefa tha se brenda këtij muaji, sapo vendimi të hyjë në fuqi, AKKP-ja menjëherë do të nisë zbatimin e tij për shpërndarjen e fondit për ish pronarët e prekur nga procesi i legalizimeve. Fundi i muajit qershor shihet si afati për nisjen e procedurave për shpërndarjen e 1.5 miliardë lekëve (afërsisht 10 milionë euro) për ish pronarët, të cilët do të përfitojnë këstin e parë, prej 20 për qind të vlerës së kompensimit. "Shpresojmë që nga fundi i muajit të kemi vendimin për të nisur procedurën e kompensimit", tha Cefa. Ndërkaq drejtori i ALUIZNI-t, Shaban Memia tha se janë afërisht 2 mijë ish pronarë që u janë miratuar emrat nga Qeveria, e që do të përfitojnë këstin e parë prej 20 për qind të vlerës së kompensimit. Në datën 19 maj, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin përkatës për procedurën e ndarjes së parave të kompensimit për ish pronarët, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet pa leje. Në vendim përcaktohet procedura e plotë, si dhe dokumentacioni përkatës për ish pronarët që duhet të sigurojnë. "Ish pronarët duhet të paraqiten në AKKP për verifikim", shtoi drejtori Cefa. Sipas vendimit të Qeverisë, AKKP-ja do të ngrejë një grup të posaçëm pune për pranimin e shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale, dhe shpërndarjen e fondit përkatës. "Procesi i regjistrimit dhe pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik dhe vazhdon për 30 ditë", thuhet në vendimin e Qeverisë. AKKP-ja do të bëjë një njoftim nëpërmjet medias për nisjen e procedurës dhe në njoftim do të përcaktohet gjeneraliteti i përfituesit, periudha kohore e paraqitjes së kërkesës, dokumentacioni i nevojshëm shoqërues i kërkesës, vlera e tarifës së shërbimit si dhe detyrimi për subjektet përfituese për të hapur në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Subjektet, brenda afatit të përcaktuar duhet të paraqesin të gjithë dokumentacionin e kërkuar në vendimin e Qeverisë, si kërkesën për kompensimin e pronës sipas formatit tip, bashkëlidhur këtij vendimi, dëshminë e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, prokurën e posaçme, të nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare në emër dhe për llogari të subjektit përfitues, ku përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare, ku do të transferohet vlera financiare e përfituar, fotokopjen e dokumentit të identifikimit.
30 dite
zgjat procedura e regjistrimit dhe pranimit të kërkesave për kompensim. Më pas, kreu i AKKP-së bën njoftimin për kalimin në llogari bankare të shumës së përfituar
20 per qind
do të jetë kësti i parë për ish pronarët e prekur nga procesi i legalizimeve, bazuar në shumën e përfituar me vendim Qeverie për kompensimin financiar
2 mije
ish pronarët të prekur nga procesi i legalizimeve u është miratuar e drejta për kompensim financiar nga
Qeveria. Ata do të kompensohen me këste, në vijimësi