Shifra tronditëse të vetëhelmimeve në Fier, në 5 muaj shënohen 80 raste
FIER - Shifra tronditëse të rasteve të helmimeve dhe vetëflijimeve, paraqiten në rrethin e Fierit. Që nga fillimi i këtij viti është shënuar një numër i lartë i personave që kanë tentuar t'i japin fund jetës në mënyra të ndryshme. Në 80 raste personat kanë zgjedhur pesticidet dhe barnat për t'i dhënë fund jetës. Sipas të dhënave nga shërbimi i statistikave të spitalit rajonal të Fierit, numri i përgjithshëm i intoksikacioneve vetëm për pesëmujorin e parë të vitit 2010 shkon në 80 persona të helmuar. Pesë prej tyre nuk kanë mundur që të mbijetojnë, edhe pas ndihmës së dhënë në urgjencën e spitalit të Fierit. Të dhënat nga spitali tregojnë se pjesën më të madhe të helmimeve e përbëjnë ato të shkaktuara nga barnat farmaceutike, ku dominojnë rastet e pakujdesisë dhe përdorimi i tyre nga fëmijët. Këto shkaqe kanë dërguar 14 persona në spitalin e Fierit. Në sajë të mjekëve, që kanë ndërhyrë në kohë, këta persona i janë kthyer në normalitet jetës së tyre. Por përveç rasteve kur vetë qytetarët në depresion e sipër zgjedhin vetëvrasjen si mjet për t'i dhënë fund jetës, një problem më vetë mbeten intoksikacionet që vijnë edhe nga alkooli. Raste të tilla të paraqitura në spital kanë qenë nëntë. 30 raste janë shënuar si helmim me lëndë kimike e pesticide. Mjekët fierakë bëjnë thirrje për më tepër përgjegjshmëri si nga individët ashtu edhe nga familjarët dhe shoqëria që të ndalen këto fenomene. m.r