E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët e syve, kongres me kredite në Tiranë



Shqipëria do të jetë "mikpritësja" e radhës e Kongresit të 7-të të Shoqatës së Oftamologëve të Europës Juglindore. Nga datat 18 deri në 20 Qershor 2010, në Tiranë pritet që të mblidhen specialistët dhe mjekët më të mirë të syve, të rajonit dhe më gjerë duke sjellë eksperiencat më të mira. "Ky në fakt do të jetë edhe Kongresi i Parë i Oftalmologjisë Shqiptare, i cili përveç servirjes së njohurive më të fundit në shkencën e Oftalmologjisë do të krijojë mundësinë që nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Edukimit të Vazhdueshëm të akreditojë më shume se 25 kredite tek gjithë pjesëmarrësit", shprehet presidenti komitetit organizues të Kongresit Pajtim Lutaj. Procedura përfshin një akreditim të brendshëm që do të kryhet nga komiteti organizues përmes një formulari vlerësues të plotësuar nga secili pjesëmarrës. Sipas Lutajt vlen të theksohet interesimi i lartë i treguar nga mjekët specialistë të fushës për të qenë pjesë e Kongresit. "Këtë e tregon lista e regjistrimit ku veç mjekëve dhe specialistëve shqiptarë renditen edhe shume oftalmologë të rajonit, me një numër rekord nga Kosova me rreth 70 mjekë, nga Maqedonia mbi 40 apo edhe nga Kroacia, Hungaria, Bullgaria, Turqia ,Greqia, Bosnja-Hercegovina , Sllovakia, Rumania, Ukraina dhe shumë vende të tjera të Europës. Suksesi paraprak i këtij kongresi nga zhvillimi i të cilit na ndajnë më shumë se dy javë është prezenca e të ftuarve ku renditen disa nga emrat më të spikatur të shkencës së Oftalmologjisë. Kështu spikat emri i Prof. G Redard nga Franca, Prof. L. Zografos nga Zvicra, Prof. M.Jager nga Holanda apo Prof. M.Karacorlu nga Turqia", thekson ai. Ndërkohë që prania e këtyre emrave duket se është një nga motivet e rritjes së interesit të mjekëve të syve për të qenë pjesë e punimeve të këtij Kongresi. Ky aktivitet organizohet nga komiteti organizator lokal në bashkëpunim me Bordin drejtues të Shoqatës së Oftalmologëve të Europës Jug-Lindore dhe Komunitetin e Oftalmologëve Shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›