E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama, në panik nga hapja e dosjeve të Sigurimit komunist

Asnjëherë, Edvini s’ka guxuar të shprehet publikisht, nëse është për hapjen e dosjeve të Sigurimit dhe nxjerrjen nga skena politike të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist. Ai s’ka dhënë përgjigje për veprimtarinë e tij josportive e me plot pikëpyetje në klubin ‘Dinamo, por as për raportimet që vetë shërbimi sekret kishte nga aktiviteti i tij publik, në fund të viteve ’80, në kryeqytet. Tmerri nga këto të vërteta, po e shtyn PS-në ta sabotojë rregullisht dialogun për miratimin e një ligji përfundimtar për dosjet

Deputetët e PD-së kanë akuzuar dje kryetarin e PS-së, Edi Rama, i cili për interesa personale po mban peng miratimin e ligjit të dosjeve. Bumçi akuzoi Edi Ramën, për “veprimtari josportive”, gjatë kohës kur ai ishte sportist i klubit “Dinamo”. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, deputeti Aldo Bumçi, në një deklaratë për mediat tha dje se “në bllokimin e ligjit të dosjeve ka arsye personale”. Bumçi theksoi se “zëdhënësi Balla deklaroi në media se PS është për hapjen e dosjeve, por për të lejuar që personat që kanë dosje të kandidojnë dhe të zgjidhen”. Sipas zëdhënësit të grupit parlamentar të PD-së, prapa kësaj deklarate fshihet vendimi i Edi Ramës për të lejuar kandidimin e tij, pavarësisht nga problemet madhore, që ka me të kaluarën. “Dihet se Rama, përveçse është një pasardhës i nomenklaturës së kuqe, gjatë veprimtarisë së tij në klubin ‘Dinamo’ ka kryer veprimtari jo sportive në dëm të anëtarëve dhe drejtuesve të klubit”, nënvizoi Bumçi. Ai u shpreh se “pasi e mban peng prej më se 6 muajve ligjin për ‘Pastërtinë e figurës zyrtare’, ose siç njihet ‘Ligjin e dosjeve’, ai kërkon që pavarësisht nga problemet e rënda që mund të ketë në të shkuarën e tij, të mund të kandidojë”. Në emër të PD-së, Bumçi deklaroi se, “Edi Rama me ligjin për ‘Pastërtinë e figurës zyrtarëve të lartë’, nuk synon asnjë emër të përveçëm. Sipas tij, ky ligj nuk do të mund të përdoret sipas interesave personale të asnjë personi, qoftë ky edhe drejtues i forcave politike.
Edhe më herët, në media ishte folur për interesimin personal të Edi Ramës që procesi i miratimit të një ligji konsensual për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit të mos përparonte, bile mundësisht të bllokohej deri në fillimin e fushatës elektorale. Për marrëdhëniet jonormale që kishte Edi Rama në klubin sportiv “Dinamo”, por edhe për rolin e tij prej lideri në fund të viteve ’80, në një shoqëri kryeqytetase që njihej me emrin “vëllazëria (sekti) e ditëlindjeve”, por për aktivitetin e së cilës, Sigurimi i Shtetit kishte marrë shënimet e nxjerrë përfitimet e veta, është folur edhe më herët në media, por Edi Rama ka refuzuar rregullisht të bëjë komentet e veta, bile ai po refuzon zyrtarisht edhe të deklarohet nëse është me të vërtetë për një ligj për hapjen e dosjeve apo jo?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›