E Diel, 1 Nëntor 2026

Enverizmi, shkaktar i zvetënimit të familjes shqiptare

Kronika e zezë për shthurjen e familjeve shqiptare - Herë-herë, por edhe shpesh, dëgjohen lajme në mediat e shkruara dhe televizive për krimin brenda familjes. Vëllai vret vëllanë. I biri tanë, apo tëmën. Por edhe anasjellas. Kushëriri mashtron kushërirën, e çon jashtë shtetit dhe e shndërron në prostitutë. I vëllai i viktimës hakmerret dhe e vret. Vriten brenda familjes për trashëgiminë, e cila është bërë lëmsh harapi. Kjo hallkë kritike e një shoqërie të re do të kishte pasur një evoluim gradual, një rregullim hap pas hapi, një mundësi më të sigurt, dhe nuk do të shpifej në ato përmasa “pronari i ri”, abuziv, në qoftë se do të ndodhte edhe te ne destalinizimi, një dukuri e përhapur në të gjithë Lindjen Europiane komuniste, por që na mungoi vetëm neve, shqiptarëve. Nëse vendet që u cilësuan, pas vitit 1956, u bënë gjysmëkomuniste, apo komuniste të zbutura, Shqipëria pati fatin e keq të mbetej edhe më tej mizore dhe me një ashpërsim të Institutit të përbindshëm të luftës së klasave të Nexhmijes. Karriget duheshin ruajtur me çdo kusht: “Edhe bar do të hamë (= do të hani), por parimet nuk i lëshojmë!”. Enverizmi u bë një dukuri shoqërore që sfidoi lindjen (e ashtuquajtur revizioniste).
Ka mendime sociologjike dhe psikologjike që të ndalohet apo të kufizohet kjo kronikë e zezë, për të cilën thamë disa fjalë. Por gazetat e shtojnë tirazhin e tyre veçanërisht përmes kësaj rubrike. Nga ana tjetër, majtizmi ynë nuk është i interesuar për këtë ngushtësim të këtyre lajmeve makabre. Sepse ka ndjekur taktikën absurde që ta ngarkojë qeverisjen me fajësira të qena dhe të paqena, veçanërisht veçanërisht duke ngulmuar në këtë të dytën. Si një formacion politik, i pangjashëm me çdo formacion euroatlantik për shkak të nostalgjisë së trashëguar, majtizmi ynë e ka bërë të zakonshme që edhe një fatkeqësie natyrore, ta zëmë një zjarri nga rrufeja, t’i japë ngjyresë politike! Është destruktiv, shkurt me thënë.
Kohezionit familjar iu vu kryq nga enverizmi, për arsye të ulëta të një shteti monolit (një fjalë, kjo, e përdorur gjer në një konsum të tejskajshëm, në atë kohë). “Njeriu i ri”, kryevepra e partisë, siç u quajt, ishte personi pa ndjenja familjare, spiun brenda familjes, militant fanatik i Partisë, gjer në çmenduri. I. Kadareja e ka trajtuar bukur fort këtë personazh të tmerrshëm, në zbërthimin e Pavlik Morozovit, që vrau xhaxhanë se ky i dha bukë një kulaku, që po vdiste nga uria! Majtizmi ynë do të dëshironte ta vinte në koshin e temave tabù këtë prishje të karakterit të njeriut nga enverizmi. Dhe këta politikanë të së majtës merren me shpjegime idioteske: këto krime në familje ndodhin nga varfëria! Sikur në kohën e Enverit notonim në bollëk! Sikur në kohën e Fatosit apo të Ilirit, plasëm nga mirëqenia! (Buka me listë, në atë kohë e kishte fillesën!).
Bjerrja e virtyteve shqiptare nga enverizmi - Virtyti familjar shqiptar është vënë në dukje me nota të mira dhe është vlerësuar me admirim nga dashamirët e mëdhenj të kombit tonë, Miss Edith Durhami, Lordi Bajron e të tjerë. Është çmuar respekti brenda familjes, besnikëria e njeriut shqiptar, shenjtëria e fjalës së dhënë (parole d’honneur, në letërsinë kalorësiake të fisnikërisë), krahas tiparit madhor të besës (fjalë thuajse e papërkthyeshme në gjuhët e huaja) dhe të mikpritjes proverbiale shqiptare. Natyrisht, kemi edhe një ndërthurje minusesh, në një shoqëri patriarkale, në të cilën nëpërkëmbeshin të drejtat e femrës. Pra, kjo nuk e mohon kompleksitetin e problemit. Veçse rezultantja ishte në atë kahe që përmendej si antonim i përdhosjes, e cila kishte përfshirë mjaft vende të tjera përreth. Kuptohet se virtytet shqiptare ishin vërtet për t’u vlerësuar. Në saje të këtij karakteri krenar, tradhtia zgjonte ndjesí neveritëse. E kjo do të thotë se ishte rrënjosur një vetëdije e fortë kombëtare, që i kishte dhënë krahë Skënderbeut të vepronte si një trup i vetëm kundër forcave otomane, shumë herë më të mëdha në numër. Rrethana të një padrejtësie historike, që e katandisën këtë komb të madh të mbyllur si në enklavë, e cenuan paksa këtë vetëdije, në bazë të së cilës, megjithatë, u ruajt nga zhdukja Shteti shqiptar prej hartës ballkanike, që u ndërtua nga atdhetarët, me në krye I. Qemalin. Ky kob antishqiptar i kishte rrënjët në Berlin, në Konferencën e Ambasadorëve dhe në traktatin e Versajës.
Por i ndrituri Ismail Qemal Vlora vdiq i helmuar në Itali më 26 janar 1919, duke mos e shijuar veçse 6 vjet Pavarësinë Kombëtare, me firmën e tij nismëtare dhe me firmat e shumë patriotëve, shumë nga të cilat u hoqën nga dokumenti, sipas praktikës falsifikuese të atij regjimi enverist, që e shpërfytyroi historinë.
Djegia e librave dhe penalizmi për të pabindurit - Nga libri “Ismail Kemal Vlora e l’Indipendenza dell’Albania 1912 “, (të përkthyer nga Nermin Falaski prej anglishtes), kreu i gjashtë i Pjesës III, me autorësí të Renco Falaçit, që përmban titullin „Occupazione dell’Albania a nord da parte dei Serbi, a sud da parte dei greci“, po përkthejmë shkurtimisht disa copëza: “Më 1 mars 1913 u mblodh në Trieste një kongres i madh me pjesëmarrjen e shqiptarëve të SHBA-ve, Rumanisë, Italisë, Egjiptit dhe të Austrisë. (...). Nga qeveria e Vlorës ishte i pranishëm ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi. Kongresi protestoi kundër mizorive të trupave serbe dhe greke të pushtimit, duke i kërkuar Konferencës së Londrës që të vendoste kufijtë e Shtetit të ri, në mbështetje të kritereve etnike dhe gjeografike dhe duke i dhënë, kështu, Shqipërisë, Kosovën, Janinën dhe Çamërinë, gjer në Prevezë. Kjo rezolutë iu dërgua kancelarive europiane. Më pas kryetari (i kongresit), F. Konica, u prit nga Bertoldi dhe nga San Xhuliani , të cilëve u shfaqi shpirtin dhe domethënien e këtij tubimi të rëndësishëm” (f. 357). Pak më poshtë: “Ndërkaq, më 6 mars, trupat greke përparuan në jug dhe pushtuan Janinën, e cila nuk iu kthye më Shqipërisë. Gjiorokastra dhe Delvina u kërcënuan nga bandat greke, por ato u mbrojtën nga vullnetarë shqiptarë. Qëllimi qé terrorizimi i popullit shqiptar për të lehtësuar zhvatjen e krahinës. U shkatërruan të mbjellat e të korrat dhe zia e bukës filloi të shtrihej kudo në ato anë. Kusurin e plojës e bëri anarkia (358) ”. Ja, pra: varfëria! Nëna e të gjitha të këqijave. (E harruan grekët ndihmën e madhe, vendimtare, që u dhanë shqiptarët për pavarësinë e tyre, në vitet njëzet të 1800-s.
Kur flasim për cenimin e ndërgjegjes kombëtare, duhet ta kemi edhe këtë element, varfërinë, parasysh. (Enverizmi e përdori edhe këtë element për bjerrjen e kombëtarizmit). Në mjerimin ekonomik mund të mbillet edhe dukuria e tradhtisë kombëtare. Libri flet për helmimin e I.Qemalit. Në faqen 402 të këtij libri, flitet për humbjen e një studimi tepër të vlefshëm të I. Qemalit për origjinën, racën, hapësirën etnografike dhe të drejtat historike dhe gjeografike të shqiptarëve. I biri, Qazimi, ishte ai që i ruante me xhelozi këto dokumente. Por e bija, e vuajtur në mënyrë të dhimbshme nga regjimi komunist, duke qenë nën trysninë se gjithçka që i përkiste së kaluarës nuk dëshirohej, duket se i asgjësoi këto karta (li avrebbe distrutti). Sot brezit të ri mund t’i duket si e çuditshme një gjë e tillë e autodafeve enveriste (lista për asgjësimin e librave dhe dokumenteve të padëshiruara). Dhe janë të shumtë ata që s’e dinë flakadanë që rrëmbeu librat më të shtrenjta të Lasgushit, që poeti i dogji, pa mundur të përmbante dot lotët, në vatrën e tij, nga frika se mos ia gjenin “gjërat e ndaluara” që të çonin në inkriminim! (I duhej bërë kjo pyetje për pranim ose mohim shoqes Nexhmije! Sa të tilla nuk iu bënë! Edhe pa pasur firmën e Enverit, këto mynxyra nuk bëheshin dot pa një urdhër verbal të tij).
Një frymëmarrje e re e vetëdijes kombëtare - Pavarësisht nga këto goditje të instinktit kombëtar, këto mund të quhen sporadike në krahasim me atë bjerrje tërësore kombëtare që u mundua të bëjë enverizmi, me slogane hipokrite të mbështetura në internacionalizmin proletar dhe në falsitetin e bashkim-vëllazërimit. Nëse do të duhet të bëjmë një vazhdimësí të asaj panorame historike, vazhdimisht kërcënuese ndaj kombit tonë, duhet të përmendim Kongresin e Lushnjës (1920), një vit pas vdekjes së Ismail Qemalit. Kjo histori njihet mirë. Edhe karakteri i saj kombëtar, gjithashtu. Ajo që është munduar të fshihet nga falsifikatorët e historisë, është roli protagonist i djaloshit Ahmet Zogu, në këtë kongres. Doemos duhej fshehur edhe përpjekja e këtij djali të ri, me njësitë e veta luftarake, kundër forcave serbo-malazeze që kërcënonin edhe atë copëz që na kishte mbetur nga grabitja, në kufijtë tanë zyrtarë të veriut. Konsolidimi i Presidentit të Republikës dhe shpallja e Monarkisë nën kurorën e Ahmet Zogut I, i dha një frymëmarrje të re dhe një përparim të ri këtij Shteti të vogël, që shpëtoi nga zhdukja gjeografike prej pazareve të interesave të mëdha. Ndjenja kombëtare e plagosur filloi të shërohet. Shkolla kishte karakter kombëtar. Himni i flamurit njihej nga të gjithë nxënësit e shkollave. (Dhe nuk u pre me gërshërën komuniste strofa e Asdrenit: Dhe Zoti vetë e tha me gojë / Se kombet shuhen përmbi dhé, / Por Shqipëria do të rrojë / Për të, për të luftojmë né!”. Ky gjymtim i himnit tonë ngjau në kohën e diktaturës komuniste, ndërsa as okupatorët nuk kishin guxuar të vinin dorë në këtë himn!
Vetëdija jonë kombëtare ka nevojë për një ripërtëritje. Se është anormale që edhe në Kosovë, sado në një masë krejt mikroskopike, të dalin disa trushkulur e të thonë “dum babën”! (Në një anketim për E.H.-n, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, ky tiran u votua me 1 %, ndërsa kundër tij u dhanë 99% të votave. Sigurisht që i është prishur gjaku Nexhmijes, kësaj të ndërkryere propagandistike, që e quan vetën historiane, duke mos ditur asgjë nga historiografia e vërtetë!. Kur të hyjmë në NATO dhe të bëhemi anëtarë të BE-së, atëherë do të na zhduken disa rreziqe dhe nuk do t’i lëmë të na poshtërojnë disa qarqe shovene, siç do të shohim në përfundim të këtij shkrimi.
Familja e shëndoshë është dhunti e demokracisë, jo e diktaturës komuniste - Do të duhej një esé e hollësishme për perversitetet e enverizmit, gjer në përdhunimin e himnit kombëtar: Përmendet Zoti? Le të merret si një metaforë: Shqipëria do të rrojë, se është thënë nga një forcë e mbinatyrshme! Por meskiniteti nuk përfundon këtu: Nuk u dashka luftuar për Shqipërinë? E pamë çdo të thotë të luftojmë për internacionalizmin proletar. I pamë edhe korifenjtë e këtyre predikimeve, që e përgatitën shtratin sanitar për ta lidhur këtë shtet fatkeq të cunguar, nën zgjedhën serbe si Republikë të shtatë, apo si koloni të zgjeruar të Serbisë, njësoj është. Dhe tani po na vijnë priftërinjtë serbë me dollomatë e Tartufit, për të gjetur eshtrat e ushtarakëve serbë në Kosovë, që në kohën e luftërave ballkanike, që paskëshin ardhur për të çliruar Shqipërinë(!), - lexo: për ta zgjeruar koloninë e tyre!). Sikur të mos ishte ndërprerë politika kombëtare e Ahmet Zogut I, për shkaqe të vigjiljes së Luftës II Botërore, vetëdija kombëtare do të ishte në atë lartësí sa do t’u ishin vënë kufijtë te thana, si komshinjve veriorë, ashtu edhe atyre jugorë: Doni eshtra? Urdhëroni e merrini, bashkë me eshtrat jonjerëzore me të cilat keni dashur t’i shtoni, dhe bëni varreza në shtetin tuaj, siç kanë bërë edhe amerikanët në shtetin e tyre, e jo në Vietnam! Nuk duam gozhda Nastradini, si manastiret që i dëmtoi lufta e shkaktuar nga Millosheviçi dhe kasapët e tjerë të tij dhe tani na i ngarkojnë neve, shqiptarëve! Provokimeve të tipit Karla del Ponte nuk do të vonojnë që t’u dalë boja!
Perspektiva është që të përmirësohet ndërgjegjja jonë njerëzore. Bashkë me të do të shkërmoqen përfundimisht mbeturinat e “njeriut të ri”, gjë që do të jetë një rilindje e re kombëtare nga kthetrat e mendësisë së Enverizmit. Atëherë, po, do të rikrijohen disa virtyte të shëndosha të hershme të shqiptarit i cili, duke mos qenë ende patriarkal siç ishte koha, do të ketë pa dyshim më tepër respekt për familjen e shëndoshë, që është një dhunti e demokracisë dhe jo e diktaturës komuniste, që sakrifikoi familjen e shëndoshë për interesa të saj pushtetare.
Shënim: Tani bishttundurit, që shohin ëndrra në diell, po na sajojnë origjinalitete, për të përuruar stinën e tyre të shërbestarit të ri të majtizmit tonë nostalgjik, se I.Qemal Vlora duhet emërtuar I.Qemal bej Vlora, sepse këtë emër ia ka mohuar diktatura! Edhe Konica, dukur, ia vinte vetes titullin bej. Pastaj është vetëquajtur vazhdimisht Faik Konica! Po i japim atij megalomanit që kërkon të na befasojë, një faksimile të librit “Ismail Kemal Vlora e l’indipendenza dell’albania 1912”, botuar në vitin 1992, si edhe një firmë të Plakut të madh të Vlorës, të 15 janarit të vitit 1919. Dashuria e titullit bej për I. Qemalin, nuk na i prish dot mendjen se tani ky rishtar interesash nuk po bëka lojën e majtizmit shqiptar!
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›