Sondazhi, 63 për qind e pjesëmarrësve nuk e besojnë “politikën e re” të Edi Ramës
Sondazhet më të fundit, jo shpresëdhënës për lidershipin e PS-së, ndërsa e nxijnë edhe më keq imazhin e tij
“Politika e re” e Edi Ramës, është asgjë më shumë se një slogan i artikuluesit të saj, sepse sa për një lëvizje të mundshme të lidershipit të PS-së, ata që nuk e besojnë janë shumë më të shumtë në numër, se sa ata që e besojnë.
Një sondazh i radhës i agjencisë së lajmeve BalkanWeb, në faqen e saj të internetit www.balkanweb.com, tregonte deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme se rreth 2/3 e pjesëmarrësve në sondazh nuk e besonin “politikën e re” të Edi Ramës.
“A besoni tek politika e re e Edi Ramës?”, ishte pyetja e sondazhit të BalkanWeb.
Në përgjigje të kësaj pyetje, nga 1224 votues pjesëmarrës në sondazh, 767 prej tyre, ose 62.7 për qind, jepnin përgjigje “jo”. Ndërsa ata që besonin në “politikën e re” të Edi Ramës dhe që i ishin përgjigjur “po” pyetjes së sondazhit, ishin vetëm 454 pjesëmarrës, ose 37.1 për qind e të pyeturve.
Sondazhet e kryera nga BalkanWeb, e njohur si një media e afërt me PS dhe kreun e saj, në më pak se dy muaj, asnjëherë nuk kanë qenë shpresëdhënëse për Edi Ramën dhe partinë që ai drejton.
Një sondazh i datës 18 shtator të këtij viti, i cili qëndroi vetëm pak orë në web-sitin e BalkanWeb, e nxirrte PD fituese të zgjedhjeve, me një diferencë të madhe krahasuar me PS-në.
“Nëse zgjedhjet zhvillohen sot, cila parti fiton?”, ishte pyetja që agjencia e lajmeve BalkanWeb, ju bënte nëpërmjet sondazhit në faqen e saj të internetit, www.balkanweb.com, klientëve të saj. Deri rreth mesditës, mësohet se nga 10071 votues “on-line”, shpreheshin “pro” fitores së PD-së 8554 votues, ose 84.9 për qind e pjesëmarrësve në këtë sondazh. Për PS-në, kishin votuar si kandidate e mundshme e fitoreve të zgjedhjeve vetëm 1265 zgjedhës, ose 12.6, për qind e votuesve, pjesëmarrës në këtë sondazh.
Një tjetër sondazh i një televizionit “Ora News”, i organizuar nga fundi i muajit shtator të këtij viti, nxirrte sërish fitues PD dhe kreun e saj Sali Berisha, në rast se zgjedhjet do të zhvilloheshin ditën e sondazhit. I njëjti sondazh, nxirrte në vend të dytë, kreun e LSI-së, Ilir Meta, ndërsa kreu i PS-së Edi Rama, vinte i treti në rezultatet e këtij sondazhi, pyetja e të cilit ishte “Shqipëria ka hyrë në një vit elektoral. Nëse zgjedhjet do të bëheshin të dielën e ardhshme, për cilin nga liderët politikë (dhe parti) do të votonit?”.
Sipas përgjigjeve të pjesëmarrësve në sondazh, bëhej e ditur se, këtë sondazh e kryesonte kreu i PD, Kryeministri Sali Berisha. Më pas, me një diferencë të konsiderueshme votash, i dytë në listën e fituesve të mundshëm, ishte Ilir Meta, kreu i LSI-së. Edi Rama, kryetari i PS, ishte i treti, i përzgjedhur nga votuesit si fitues, dhe për çudinë e të gjithëve, kishte marrë vota, sa gjysma e Ilir Metës.
Jo më larg se dita e shtunë e javës që sapo u mbyll, një tjetër sondazh i televizionit “Ora News”, e nxinte imazhin e Edi Ramës, këtë herë në raport me median.
Sipas sondazhit të radhës të “Ora News”, të dy ditëve më parë, mësohej se, Edi Rama, rezulton të jetë është politikani më i rrezikshëm për mediat elektronike dhe ato të shkruara edhe sipas opinionit publik shqiptar. Sipas këtij sondazhi rezultonte se 62.3 për qind ose gati 2/3 e pjesëmarrësve, kishin votuar për kreun e Partisë Socialiste si më i rrezikshmi për mediat shqiptare.
...