E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndihmë ekonomike edhe për viktimat e trafikut të njerëzve

Drafti për ndihmën ekonomike që nuk është shndërruar ende në ligj është pasuruar me një kategori të re, që do të përfitojë ndihmë ekonomike. Bëhet fjalë për viktimat e trafikut njerëzor, që do të përfshihen në këtë skemë, duke marrë në bazë mujore ndihmën e plotë ekonomike, në varësi të rrethanave që jetojnë.
Ky ndryshim, së bashku me disa kategori të reja që do të përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike, do të pasohet me tollona për ushqimin e familjeve të varfra, një kërkesë e hershme e Kryeministrit që është materializuar ligjërisht. Këta tollona, sipas Ministrisë së Punës, do të jenë ndihmë shtesë për personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, në mënyrë që t’u mundësohet atyre jetesa bazë.
Këto ndryshime në ligj jo vetëm që zgjerojnë kategoritë e përfituesve, por edhe shmangin kushtëzimet e marrjes së ndihmës ekonomike. Kategoritë e ndihmës ekonomike do të përjashtohen nga llogaritja e të ardhurave, kur familjet në nevojë kanë si kryefamiljar njërin nga fëmijët, për arsye të vdekjes së prindërve ose kur njëri prej prindërve është dënuar, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton.
“Po ashtu, parashikohet të përfshihen ato familje që kanë si kryefamiljar një person me aftësi të kufizuara fizike e mendore, paraplegjikë dhe tetralegjikë ose invalidë pune, familjet që kanë si kryefamiljare nënën, ndërkohë që prindi tjetër nuk jeton; si kryefamiljar një individ që është mbi moshë pune dhe që nuk përfiton pension, si dhe kur anëtarët e familjes së tij janë mbi dhe nën moshë pune, të cilët nuk përfitojnë pension. Ky projektligj përcakton gruan si kryefamiljare në rastet kur ka praktika divorci për të tërhequr pagesën e ndihmës ekonomike”, - kishte bërë të ditur disa kohë më parë Ministria.
Ndryshimet në ndihmën ekonomike janë parë si domosdoshmëri që në mesin e mandatit të kaluar të qeverisë. Për këtë arsye, pas kërkesës së Kryeministrit Berisha, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta kishte ngritur një grup pune që do të merrej posaçërisht me propozimin e një drafti të ri që më pas do të shndërrohej në ligj për ndihmën ekonomike.
Porse, ky draft u ndryshua disa herë, duke shtuar një sërë kategorish të reja, në përputhje me nevojat që janë parë në terren, sipas Ministrisë. Një prej tyre janë edhe viktimat e trafikut njerëzor, qofshin të riatdhesuara nga jashtë shtetit apo banuese të përhershme në Shqipëri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›