Edi Rama niset për Evropë, sapo mbaroi një protestë kundër ambasadës së BE-së në Tiranë
Edi Rama i rikthehet metodave bolshevikë, duke ju shpallur luftë edhe “armiqve të jashtëm” e të brendshëm
Protesta disa ditore e socialistëve është zhvendosur dje për disa minuta, nga bulevardi "Dëshmorët e Kombit", përpara selisë së Komisionit Europian.
Familjarët e grevistëve socialistë të ngujuar në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" prej 19 ditësh, protestuan dje përpara selisë së Komisionit Europian, duke kërkuar që Ambasadori i këtij institucioni ndërkombëtar, të reagojë për grevën e urisë.
Protestuesit i bënin thirrje institucioneve ndërkombëtare, për të mbështetur grevën ecurisë, si dhe PS-në, ndërsa deklaronin edhe se do të jenë prezentë çdo ditë përpara zyrave të Këshillit të Europës deri në pritje të reagimit zyrtar.
Protesta e djeshme e familjarëve të grevistëve të urisë, i ngjante aksioneve bolshevike, të kohës së Enver Hoxhës, të cilat “me iniciativë nga poshtë dhe me orientim nga lart”, denonconin, “imperializmin amerikan” dhe “social-imperializmin sovjetik”.
I braktisur nga qytetarët shqiptarë, i gjendur edhe në një izolim të thellë ndërkombëtarë, e thënë ndryshe, i injoruar dhe i shpërfillur nga këta të fundit, ndërkombëtarët, Edi Rama bëri gjënë e fundit dje, para nënshkrimit të kapitullimit pa kushte.
Njëlloj si udhëheqësi i tij shpirtëror Enver Hoxha, edhe Edi Rama, ndërseu dje ndoca dhjetëra vetë, që ju kishte përgatitur edhe pankartat “antindërkombëtare” kundër zyrave e zyrtarëve të Komisionit Europian në Tiranë.
Se sa e pakuptimtë tingëlloi “presioni” i të gënjyerve të Edi Ramës, ndaj përfaqësive e përfaqësuesve ndërkombëtarë, u duk vetëm pak orë më pas, kur ai, duke lëpirë ç’ka kishte pështyrë, u detyrua ta lëpijë, bashkë edhe me nënqeshjen e sforcuar, që shoqëronte vendimin për mbylljen e grevës së urisë pa kushte.