E Diel, 1 Nëntor 2026

“Edi Rama nuk i drejtohet Komisionit të Venecias, sepse nuk kërkon transparencën e zgjedhjeve”

Ish-anëtari i Asamblesë së PS-së, Ylli Manjani

Mbajtja peng e vendit për interesa të pushtetit personal të kryesocialistit Edi Rama, nuk është standard demokratik për një shtet që kërkon të aderojë në Bashkimin Europian. Kështu shprehet juristi Ylli Manjani teksa komenton deklaratën e bërë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, e cila kërkoi zgjidhje të situatës politike në Shqipëri dhe njëherazi sqaroi rrugën ligjore e kushtetuese, që duhet ndjekur që opozita të marrë përgjigje për pretendimet e saj për zgjedhjet. Asambleja e Strasburgut kërkoi që Gjykata Kushtetuese t’i dërgonte këto pretendimet për interpretim në Komisionin e Venecias.
E nëse do të ndiqej kjo rrugë e rekomanduar nga ndërkombëtarët, socialistëve u mbeten më pak se tre muaj kohë për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e hetimit të zgjedhjeve dhe më pas kjo e fundit duhet t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të zbardhur objektivat e komisionit hetimor parlamentar.
“Sot jemi një vit pas zgjedhjeve dhe nuk mund të mbetemi peng kutish votimi, sepse nuk besoj se është në interesin e shqiptarëve zëvendësimi i disa pykave në pushtet me ca të tjera në opozitë. Rama s’ka dashur të hetohen zgjedhjet, por të krijojë një tymnajë, pasi në Gjykatën Kushtetuese ka çuar me dhjetëra ligje e marrëveshje, por se ka bërë një gjë të tillë dhe nuk do ta bëjë, pasi ai është politikan i imazhit dhe nuk i intereson transparenca, por e gjitha kjo do t’i kthehet në boomerang dhe e gjitha kjo është një sajesë e Ramës që po përdoret për interesin e tij personal”, u shpreh Manjani.
I pyetur në lidhje me shqetësimin që ka ngritur në deklaratën e saj Asambleja e KiE, për bojkotin e socialistëve, ish-anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste thotë se
“Rama ka marrë peng grupin parlamentar dhe ky grup po humbet kredibilitet përballë opinionit publik në raport me procesin integrues të vendit. PS sot po mban peng një sërë nismash ligjore, për shembull atë për Gjykatën Administrative, sikundër s’kemi parë asnjë interpelancë të deputetëve të saj në parlament. Pra po mbehet peng i politikës bllokuese të Ramës”, deklaroi më tej ai.
Këshilli i Europës ka rekomanduar disa herë që kërkesat e opozitës për zgjedhjet, të interpretohen nga Komisioni i Venecias, gjë të cilën selia rozë ka refuzuar ta bëjë, duke parë si alternativë më të volitshme atë të protestave në rrugë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›