E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama, përbindëshi shkatërrimtar i zhvillimit, ka braktisur çdo detyrim ligjor”

Këshilltari i PD në bashkinë e Tiranës, Ferdinant Poni, denoncon mosdorëzimin e Planit të Përgjithshëm Rregullues të Tiranës

Zëvendësministri i Brendshëm dhe njëherazi këshilltari i PD-së në bashkinë e Tiranës, Ferdinand Poni denoncon mosdorëzimin e Planit të Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Tiranës. Poni akuzoi në mënyrë direkt kryebashkiakun Edi Rama si neglizhent dhe zvarritës për arsye të tij personale të Planit Rregullues të kryeqytetit.
 “Jam këtu për të denoncuar vazhdimin e aktit abuziv, në kundërshtim flagrant me ligjin me interesat e qytetarëve të Tiranës, të ndërtuesve të Tiranës, të gjoja Kryetarit të Bashkisë së Tiranës lidhur me mos dorëzimin edhe sot e kësaj dite të Planit të Përgjithshëm Rregullues të qytetit të Tiranës”, deklaroi Poni.
Këshilltari demokrat tha se, “ish kryetari që s’punon, që shkel përditë ligjin për të rritur varësinë e biznesit, të personave e familjeve që duan të strehohen, të sipërmarrësve që duan ambientet e tyre të punës, të pronarëve e qytetarëve pronarë të trojeve që duan të prosperizohen ka braktisur me kohë çdo angazhim e përkushtim ndaj punës, ligjit, qytetarëve e komuniteteve të biznesit e të Tiranës. Nëse do t’i takonte një epitet, këtij përbindëshi shkatërrimtar të zhvillimit, është ai i Mister leja e ndërtimit apo Mister 15 përqindëshit që për ta ruajtur këtë situate abuzive vazhdon të sabotojë edhe Planin Rregullues të qytetit”, u shpreh Poni.
Sipas tij, asgjë s’mund të ndalojë zbatimin e ligjit, as dhe vullneti apo mungesa e vullnetit nga Edvin Rama, për t’i shërbyer qytetarëve në cilësinë e tij si kryetar i bashkisë.
“Kjo është edhe një herë një kujtesë për opinionin publik se domethënie ka sabotimi i punës normale të administratave publike, se kush janë ata që në të vërtetë rreshtohen në mënyrë të pafalshme e tragjike kundër qytetareve. Rama, në gjendjen e tij reaktive e psikologjikisht të renduar mund të mos e kuptojë këtë, as edhe kur vihet në shërbim të grupeve të interesit që e përdorin atë si vegël për ta sabotuar interesat e ligjshme dhe evropiane të shqiptarëve mund të mos i shkojë mendja tek mijëra, dhjetëra mijëra qytetarë që dëmtohen prej tij”, tha Poni, duke i kujtuar Ramës se tek ligji dhe tek zbatimi i tij korrekt duhet të reflektojë.
“Një reflektim të po kaq të nevojshëm duhet ta bëjnë ndaj këtij uzurpatori e dhunuesi, ndaj këtij shkatërruesi e penguesi edhe institucionet e zbatimit e ruajtjes së ligjit”, nënvizoi më tej, këshilltari demokrat në bashkinë e Tiranës, Ferdinant Poni.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›