E Diel, 1 Nëntor 2026

Karl Bildt: Integrimi i Shqipërisë në BE, sa më shpejt, duhet t’u mbyllim dyert forcave të errëta

Olli Rehn: Shqipëria në listën e bardhë të “Schengenit”, brenda 6 mujorit të parë të 2010-ës

Vendet e Ballkanit perëndimor ndër to edhe Shqipëria kërcënohen ethshëm nga grupime destabilizuese që synojnë kataplimin e rajonit dhe kthimin e tij në një arenë konflikti dhe trazirash. Këtë përfundim ka dhënë kryeministri suedez Karl Bildt, vendi i të cilit udhëheq presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, gjatë debatit lidhur me strategjinë e zgjerimit të kësaj organizate, të zhvilluar në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg. Kësisoj, BE përçon një sinjal shumë inkurajues për zgjerimin me vendet e Ballkanit.
Ministri i Jashtëm suedez, Karl Bildt ka thënë, se nëse BE i mbyll derën vendeve të Ballkanit, do t’i hapen dyert forcave të errëta në rajon dhe këtë Bashkimi Europian nuk mund ta tolerojë. Duke renditur arritjet gjatë presidencës suedeze me vendet e rajonit, Karl Bildt është shprehur entuziast lidhur me ecurinë e aplikimit të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Ne kemi pranuar aplikimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe shpresoj, që ata do të marrin përgjigjen e opinionit të Komisionit Europian për një vit”, u shpreh Bildt.
Ndërsa, Gabriele Albertini, Kryetari i Komisionit të Jashtëm në PE vuri në dukje se  “kërkesa e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Islandës tregon, se Bashkimi Europian ka ende forcën tëheqëse për të thithur shtete të reja”.
Çështje tjetër inkurajuese, është se Carl Bildt ka nxjerrë në pah edhe vullnetin e shteteve anëtare, që Shqipëria dhe Bosnja t’i bashkangjiten bllokut të listës së bardhë së vendeve që përfitojnë nga heqja e vizave, sa më shpejt të jetë e mundur, gjë që komisioneri Olli Rehn e ka përforcuar në fjalimin e tij, duke shtuar se edhe Shqipëria shumë shpejt do të bëhet pjesë e listës së bardhë të “Schengenit”. “Po e shndërrojmë ëndrrën e qytetarëve të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi në realitet duke realizuar liberalizimin e vizave. Shpresojmë që të bëjmë të njëjtën gjë për Shqipërinë dhe Bosnjen vitin e ardhshëm, kur ato të mbushin kushtet”, u shpreh Rehn.
Ndërkohë që eurodeputetët janë shprehur të gjithë në favor të përspektivës së qartë anëtarësimit për Ballkanin në BE, ata janë thellësisht të ndarë kur bëhet fjalë për anëtarësimin e Turqisë. Projekt-rezoluta pritet të votohet gjatë ditës së nesërme në seancën plenare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›