E Diel, 1 Nëntor 2026

Fokus/Meta në Prishtinë, konfirmon kujdestarinë në procesin e integrimit të Kosovës në NATO e BE

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kosovë, u prit dje nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Gjatë takimit Presidenti Sejdiu e falënderoi Meta për mbështetjen e fuqishme që Republika e Shqipërisë i ka dhënë, i jep dhe do t’i japë Kosovës, si dhe për përkushtimin e madh të ministrit Meta që të mbështesë Kosovën në proceset e rëndësishme të integrimeve, të demokracisë, të funksionimit të institucioneve dhe në veçanti për angazhimin e posaçëm të gjithë rrjetit diplomatik të Republikës së Shqipërisë, por edhe të udhëheqësve me të lartë të vendit, në shtimin e njohjeve për Republikën e Kosovës.
Duke folur për të arriturat e vendit, Presidenti tha se “kemi një kualitet të veçantë të ecjes sonë, në këtë kuadër 63 vende deri më tash e kanë njohur Republikën e Kosovës, por do të kemi nevojë për njohje të mëtejme, si dhe e vlerësoi lart anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar”, tha Presidenti Sejdiu.
Gjithashtu ai përmendi kontributin që Republika e Shqipërisë ka pasur në rajon dhe në bashkëpunimin ndër fqinjësor edhe me vendet e tjera, duke shtuar se ardhja e Ilir Metës në Prishtinë dhe takime të tjera që ai do të zhvillojë me përfaqësuesit e institucioneve të tjera do të jenë një garanci plus e këtij përkushtimi. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta theksoi të ketë biseduar me Presidentin Sejdiu për stadin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, i cili sipas ministrit tij gëzon një partneritet në rritje në të gjitha fushat, si dhe për drejtimet sa i përket dinamikës në proceset integruese në Bashkimin Evropian.
Ndër të tjerat Meta foli edhe për sfidat që i ka Kosova, siç është sfida e afirmimit të mëtejshëm të këtij shteti të ri, i cili sipas ministrit të Jashtëm, gëzon njohje të jashtëzakonshme ndërkombëtare në një kohë të shkurtër dhe të cilat do të vijojnë pa u ndalur, si dhe sfidën për të pasur një perspektivë të qartë evropiane, e cila gjithnjë e më qartë po i ofrohet dhe do t’i ofrohet Kosovës.
Në vijim të vizitës në Kosovë, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u prit në një takim nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, kryeministri i Kosovës, Thaçi deklaroi se në takim u diskutua për zhvillimet në Kosovë, Shqipëri dhe rajon.
Duke vijuar më tej se reformat do të vazhdojnë në të dy vendet, reforma demokratike edhe në legjislacion, edhe në politikë dhe ekonomi. Kontributi është për paqe, stabilitet, bashkëpunim rajonal dhe perspektivë evropiane e dy vendeve dhe dy qeverive tona.
Më tej Thaçi informoi Meta edhe për zhvillimet në Kosovë, për të gjitha proceset, edhe të njohjeve, si dhe proceseve tjera. “Mendoj se të gjitha këto angazhime, janë jashtëzakonisht të rëndësishme për shtetin e Kosovës, që shteti i Kosovës po konsolidohet. Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit. Kemi vullnet të mirë që të ndërtojmë raporte të mira ndërshtetërore edhe me Serbinë. Ndërsa, do të vazhdojmë me gjithë përgjegjësinë shtetërore që bashkëpunimi mes dy qeverive tona të thellohet edhe më tepër dhe marrëveshjet të cilat i kemi nënshkruar së bashku me kryeministrin Berisha, të vazhdojnë të implementohen në të gjithë sektorët”, tha ndër të tjera kryeministri i Kosovës.
Duke falënderuar më tej z. Meta për angazhimet e tij në të gjitha takimet ndërkombëtare për çështjen e Kosovës, në veçanti të njohjeve të reja që kanë ardhur dhe që do të vijnë në të ardhmen.
Ndërsa në deklaratës e tij Zëvendëskryeministri i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta u shpreh se një shumicë e padiskutueshme e vendeve të NATO- s dhe Bashkimit Evropian e kanë njohur Kosovën. Sipas Metës, anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, është një ngjarje tepër premtuese, në mënyrë që Kosova shumë shpejt të arrijë edhe progresin e dëshiruar ekonomik dhe social dhe njëkohësisht edhe zhvillimet e tjera.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›