E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Edi Rama po merr përsipër trashëgiminë e ish-regjimit më gjakatar në Evropë”

Shkodër/ Ish-të përndjekurit politikë dënojnë vizitën provokative të kreut të PS-së në ish-burgun e Degës komuniste të Punëve të Brendshme 

“Ne ndjehemi të fyer nga kjo vizitë e improvizuar në ish-burgun e Degës së Punëve të Brendshme, nga kryetari i asaj opozite që me paturpësinë më të madhe, jo vetëm që nuk votoi ligjin e gjenocidit, por po mundohet që me të gjithë mekanizmat që ajo disponon për ta kundërshtuar dhe për ta bërë të pavlefshëm këtë ligj”

TIRANE - Në kulmin e betejës për hapjen e dosjeve të komunizmit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka kryer dje një vizitë në ish-burgun e Degës së Punëve të Brendshme të para vitit 1990 në qytetin e Shkodrës, një veprim ky që është cilësuar si një provokim i hapur duke sjellë reagimin e menjëhershëm të degës së Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë në këtë qytet. Ndonëse shoqëruesit e Ramës përsëritën disa herë se vizita e kreut të PS-së në ambientet e ish-burgut të diktaturës ishte krejtësisht private, të përndjekurit dolën me një deklaratë për shtyp duke e vlerësuar si provokim dhe fyerje të hapur këtë veprim.
Edi Rama vizitoi për rreth gjysmë ore burgun e ish-Degës së Punëve të Brendshme, ku vëzhgoi nga afër ambientet ku ishin mbajtur të dënuarit politikë si dhe gjurmët që kishin mbetur nga ajo kohë e errët e diktaturës. Pas kësaj vizite të papritur për shkodranët në përgjithësi dhe sidomos për të persekutuarit në veçanti, kreu i PS-së Rama u largua nga Shkodra pa dhënë asnjë prononcim jo vetëm për mediat, por edhe për të pranishmit që e shoqëronin. Vizita e Ramës në veri të vendit ka vijuar në qytetin e Pukës për t’u takuar me vullnetarët e fushatës së tij në atë zonë.
Sapo është marrë vesh kjo vizitë të përndjekurit e Shkodrës janë mbledhur dhe kanë dalë me një deklaratë për shtyp të bërë publike edhe për mediat nga  kreu i shoqatës së të persekutuarve, Kastriot Bajraktari.
Me anë të deklaratës Bajraktari theksoi se  vizita e kreut të PS-së Edi Rama në ish-burgun komunist është fyerja më e madhe që i është bërë kësaj shtrese.
“Ne ndjehemi të fyer nga kjo vizitë e improvizuar në ish-burgun e Degës së Punëve të Brendshme, nga kryetari i asaj opozite që me paturpësinë më të madhe, jo vetëm që nuk votoi ligjin e gjenocidit, por po mundohet që me të gjithë mekanizmat që ajo disponon për ta kundërshtuar dhe për ta bërë të pavlefshëm këtë ligj”, theksoi gjatë deklaratës kreu i të persekutuarve të Shkodrës, Kastriot Bajraktari.
Më tej me anë të kësaj deklarate të persekutuarit protestuan ndaj kësaj vizite të bërë nga Edi Rama si një kryetar i një subjekti që ka marrë mbi vete të gjithë trashëgiminë e ish-regjimit më gjakatar në Evropë. Kreu i shoqatës së të persekutuarve të Shkodrës, Bajraktari e mbylli deklaratën me një kërkesë drejtuar Edi Ramës, të cilit i kërkohej që “t’i ndalojë provokimet e tilla që ngacmojnë kujtesën jo vetëm të ish-shtresës së përndjekurve politikë por të mbarë popullit të Shkodrës, si mbartës mbi shpatullat e tij të pjesës më të rëndë të kalvarit komunist”.
Vizita e Edi Ramës në ish-burgun e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës bëhet vetëm pak kohë pasi Ministria e Kulturës ka akorduar në buxhetin e vitit 2009 fondin prej 7.8 milion lekësh për kthim në muze të persekucionit komunist të kësaj ndërtese famëkeqe të gjithë periudhës së diktaturës në Shkodër.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›