“Ligji për dosjet nuk bie ndesh me Kushtetutën”

Ministri i Drejtësisë Enkelejd Alibeaj
TIRANE - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar dy ditë më parë gjatë një emisioni televiziv se ligji për lustracionin nuk bie ndesh me Kushtetutën, ndërkohë që shqetësimi i ndërkombëtarëve për këtë ligj ka të bëjë me mënyrën e zbatimit të tij. Përballë gazetarëve në një emision televiziv, ministri Alibeaj vuri në dukje se “ndërkombëtarët kanë kërkuar që ligji të ketë një limit në implementimin e tij, të ketë një inspektim prej një organi të tretë që do të jetë sistemi gjyqësor, si dhe të sigurojë transparencë në mënyrë që zyrtari të njihet me dosjen e tij”.
Duke theksuar se ligji i lustracionit i siguron të gjitha këto mekanizma, ministri Alibeaj vuri në dukje se “faktori ndërkombëtar kërkon vetëm zbatimin e drejtë të këtij ligji në Shqipëri”.
Lidhur me shqyrtimin e tij nga Gjykata Kushtetuese, Ministri i Drejtësisë vuri në dukje se gjyqtari i kësaj gjykate pengohet të shqyrtojë një çështje kur ka arsye serioze njëanshmërie. Në këtë rast Ministri u shpreh se “duhet të japin dorëheqjen nga çështja, të gjithë ata gjyqtarë që kanë arsye për njëanshmëri”.
Për Ministrin e Drejtësisë, i vetmi nen që mund të atakohet në këtë rast është neni 24 i këtij ligji porse kjo sipas tij sërish nuk ndodh.
“Sepse në këtë nen përcaktohen këto mekanizma: Në rastin kur pas verifikimit të dosjeve nga autoriteti rezulton se një zyrtar ka një të kaluar jo 'të pastër', ligji përcakton se zyrtari mund t'i drejtohet gjykatës për të kundërshtuar dokumentacionin e paraqitur. Në rast se ai përsëri rezulton me një të kaluar politikisht jo 'të pastër' ftohet nga autoriteti të japë dorëheqjen”, tha ministri i Drejtësisë.