E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kroacia dhe Shqipëria liberalizojnë vizat deri në fund të vitit 2009

Drejtuesit e lartë kroatë vlerësojnë reformat e qeverisë shqiptare si dhe angazhohen për ndihmesë në rrugën e integrimit për në BE

TIRANE - Shqipëria dhe Kroacia angazhohen së bashku në mënyrë reciproke, për të hequr vizat për qytetarët e të dy vendeve. Të dy vendet, pretendojnë një të ardhme të përbashkët euro-atlantike dhe liberalizimi i shpejtë i vizave, do të kontribuojë në intensifikimin e marrëdhënieve miqësore, tregtare-ekonomike apo edhe kulturore, duke ndërthurur kështu një bashkëpunim të ngushtë dypalësh, si përgjigje e plotësimit të një standardi, që ka të bëjë me aspiratën “pro” perëndimore. 
Këto garanci i konfirmuan reciprocikisht nga takimet dypalëshe që Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, zhvilloi me drejtues më të lartë të Kroacisë, në vizitën e tij dyditore në këtë shtet.
Gjatë qëndrimit në Kroaci, kryeministri Sali Berisha u prit në një takim nga presidenti Stipe Mesiç. Berisha dhe Mesiç vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve, si dhe vullnetin që ekziston nga të dy palët për bashkëpunim të ngushtë politik, ekonomik dhe në shumë fusha të tjera. Kryeministri shprehu kënaqësinë për takimin me Presidentin Mesiç, duke e quajtur atë një mik të madh për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Nga ana e tij, Presidenti kroat Stipe Mesiç i shprehu Kryeministrit Berisha mbështetje të plotë për heqjen e vizave midis dy vendeve, deri në fund të këtij viti.
“Ne mbështesim krejtësisht heqjen e vizave midis vendeve tona deri në fund të vitit”, u shpreh Mesiç. Bashkëpunimin në fushën ekonomike ishte një tjetër çështje me mjaft rëndësi mes dy bashkëbiseduesve, rreth së cilës Presidenti kroat u shpreh se po punohet për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Në vijim, presidenti Mesiç e informoi kryeministrin Berisha se pala kroate po punon për përfundimin e autostradës trans-adriatike, si një urë lidhëse midis Evropës dhe Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Berisha u shpreh se do të intensifikohet më tej bashkëpunimi në fushën e turizmit dhe të ekonomisë.
Ndërsa kryeministri Berisha vuri në dukje se Shqipëria ka krijuar kushte shumë të favorshme për investitorët kroatë, duke theksuar uljen e taksave dhe krijimin e një klime tepër të favorshme për biznesin.
Bashkëpunimi në fushën e energjetikës ishte pjesë tjetër e bisedimeve mes kryeministri Berisha dhe Presidenti Mesiç, të cilët parashtruan mundësinë e bashkëpunimit në kuadrin e energjisë nukleare. Presidenti Mesiç theksoi se përfshirja e sa më shumë vendeve në këtë projekt garanton një mundësi më të madhe suksesi për realizimin e tij.

Kryeministri Berisha takon homologun kroat, Sanader
Kryeministri Sali Berisha, u prit dje në një takim të veçantë nga kryeministri i Kroacisë Ivo Sanader. Të dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve, në të gjitha fushat.
Si një prioritet të përbashkët dy personalitetet e larta vlerësuan përpjekjet e mëdha të përbashkëta të Shqipërisë dhe Kroacisë, për t’u bërë pjesë e NATO-s, duke theksuar se tashmë integrimi i plotë në NATO nuk është një ëndërr, por një realitet i afërt i të dy kombeve. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha tha se të dy vendet kanë një rrugëtim të përbashkët drejt këtij projekti madhor, me një rëndësi historike.
Kreu i qeverisë Berisha vlerësoi mbështetjen e SHBA-ve në këtë proces, si dhe bashkëpunimin e ngushtë midis dy kombeve dhe qeverive. Berisha theksoi dhe bashkëpunimin në kuadër të Kartës së Adriatikut A3, si një mekanizëm shumë i rëndësishëm që frymëzoi të dy vendet për të ndërmarrë reformat më të thella që nevojiteshin për të bërë të mundur përmbushjen e standardeve.
Nga ana e tij, kryeministri Sanader shprehu besimin se në muajt e ardhshëm do të ratifikohen plotësisht protokollet për anëtarësim në NATO dhe të dy vendet do të shkojnë në samitin e ardhshëm të NATO-s si vende me të drejta të plota. Sanader vlerësoi se anëtarësimi ka një rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm në aspektin ushtarak, por dhe në aspektin politik, si dhe për vijimësinë e proceseve të integrimit në BE.
Duke u ndalur më tej në proceset e integrimit në Bashkimin Evropian, kryeministri Berisha tha se Kroacia është në prag të Marrëveshjes së anëtarësimit në BE, pasi ajo i ka plotësuar me kohë të gjitha standardet e kërkuara, ndërsa nënvizoi se anëtarësimi i Kroacisë është një ngjarje e madhe dhe shumë e rëndësishme jo vetëm për Kroacinë, por edhe për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e rajonit që aspirojnë të hyjnë në BE.
Më tej, kryeministri Berisha e njohu homologun e tij edhe me kërkesën që qeveria shqiptare do të paraqesë për statusin e kandidatit brenda Presidencës çeke të BE-së, duke siguruar se Shqipëria po bën përpjekje të mëdha për të përmbushur detyrimet e saj dhe për të përmbushur standardet, për ta merituar këtë status.
Bashkëpunimi ekonomik ishte një tjetër çështje e bisedës mes dy kryeministrave, ku u ra dakord që të dy vendet të bashkëpunojnë për shtrirjen e gazsjellësit Trans Adriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci.
Lidhur me gazsjellësin Trans Adriatik, kreu i qeverisë Berisha deklaroi gjatë konferencës për shtyp se “ne firmosëm marrëveshje shumë të rëndësishme, por dua të theksoj se bisedimet tona ishin edhe më të frytshme për thellimin e bashkëpunimit ekonomik”.
“Ky projekt, është më efiçenti në aspektin ekonomik dhe më i shkurtri nga projektet e gazsjellësve, nga Deti Kaspik në perëndim”, u shpreh Berisha.
Kryeministri Berisha dhe kryeministri Sanader bënë të ditur se kishin diskutuar edhe për gjetjen e mundësive të bashkëpunimit në projektin e energjisë nukleare.
Kryeministri Berisha u shpreh se bashkë me kryeministrin Sanader u vendos të punohet së bashku edhe me vende të tjera të rajonit, si Mali i Zi, Bosnje – Hercegovina, Maqedonia, për të ndërtuar një central të përbashkët nuklear. “Kroacia ka një model shumë të mirë atë të Kreckos me Slloveninë dhe nga të gjitha bisedimet e zhvilluara në këtë takim jam më optimist se kurrë për të ardhmen e këtij projekti”, u shpreh kryeministri Berisha.

Kryeministri Berisha takon kryeparlamentarin Bebiç
Kryeministri Sali Berisha në vijim të vizitës zyrtare në Kroaci u prit në një takim nga kryetari i Parlamentit Kroacisë Luka Bebiç, prej të cilit mori premtimin se
Kroacia do të ofrojë eksperiecën e saj parlamentare, për Shqipërisë në aplikimin e statusin të vendit kandidat në BE.
Kryetari i Parlamentit të Kroacisë u shpreh i impresionuar dhe tha se ndiente admirim nga suksesi i reformave dhe progresi i Shqipërisë në këto katër vite, të cilin ai e kishte konstatuar gjatë vizitës së tij të fundit në Tiranë.
Bebiç shprehu kënaqësinë që projekti i përbashkët i Kroacisë dhe Shqipërisë, integrimi në NATO po përmbyllet me sukses. Gjithashtu biseda u ndal dhe në projektet e përbashkëta të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme, ku Bebiç u shpreh se ishte një gjë e mirë bashkimi i ideve për projektet energjetike në të dyja vendet, veçanërisht në dy projektet madhore që ishte energjia nukleare dhe autostrada Transadriatike. 
Kryetari i Parlamentit të Kroacisë vuri theksin në një pasuri të madhe që lidh të dyja vendet që është Deti Adriatik, pasuri për të cilën të dyja vendet duhet të bëjnë përpjekjet maksimale për të ruajtur resurset  e tij.
Bebiç theksoi se Kroacia ka bërë hapa përpara me projektin e autostradës transadriatike.
Edhe kreu i Parlamentit të Kroacisë shprehu gatishmërinë e Kroacisë për të ndarë me Shqipërinë eksperiencën e aplikimit për statusin e vendit kandidat për në BE, kjo si në nivelin qeveritar ashtu edhe në nivelin parlamentar.
Nga ana e tij kryeministri Berisha falënderoi Bebiç për mikpritjen dhe u shpreh se ndihej i nderuar që ndodhej i ftuar në parlamentin e Kroacisë, një vend mik në shekuj, i cili ka dhënë një ndihmesë të shquar shqiptarëve në projektet e tyre për liri dhe dinjitet.
Aktualisht dy vendet tona, theksoi Kryeministri, dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, të cilat po kulmojnë me integrimin në NATO. Ky akt e bën të ardhmen e të dy vendeve tona në liri më të sigurt.

Kryeministri Berisha takon komunitetin shqiptar të Kroacisë
Gjatë vizitës së tij në Kroaci, kryeministri Berisha pati një takim të ngrohtë e miqësor me përfaqësues të komunitetit shqiptar që jeton atje. Kryeministri Berisha shprehu respektin dhe nderimin e tij për kontributin e rëndësishëm që ka dhënë ky komunitet në marrëdhëniet midis vendeve tona, por edhe ndikimin që këto marrëdhënie kanë pasur në qëndrimin pozitiv të Kroacisë për Kosovën. Kryeministri u shpreh se komuniteti shqiptar në Kroaci gëzon respektin e popullit dhe qeverisë kroate.
Berisha i njohu përfaqësuesit e komunitetit shqiptar me reformat e thella të ndërmarra nga qeveria e tij dhe me rezultatet që kanë dhënë këto reforma në luftën kundër korrupsionit, informalitetit, krijimin e një mjedisi të favorshëm për investimet e huaja, rritjen investimeve në infrastrukturën e vendit, etj.
Kryetari i Unionit Shqiptar të Kroacisë Ton Marku e falënderoi kryeministrin Berisha për kontributin e madh që ai ka dhënë në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, afrimin me Bashkimin Evropian dhe për pavarësinë e Kosovës.
Kryeministri Sali Berisha u prit edhe në një takim nga Presidenti i Dhomës së Tregtisë së Kroacisë Nadan Vidoshevic dhe përfaqësues të tjerë të biznesit kroat. Në takim ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë Damir Polancec.
Berisha bëri një prezantim të reformave në Shqipëri dhe masave të marra për të parandaluar efektet e krizës financiare në Shqipëri, duke theksuar se kjo krizë e gjeti Shqipërinë një vend me taksa të ulëta.
“Qeveria ime, tha kryeministri, vendosi taksën e sheshtë prej 10 për qind, uli kontributin e sigurimeve shoqërore në 15 për qind, ka ulur shumë tarifa në një euro. Ne kemi synuar dhe arritur që Shqipëria të ketë rritje të lartë ekonomike, sepse ne jemi një vend kohëhumbur”.
Duke ftuar biznesin kroat të investojë në Shqipëri, Kryeministri Berisha tha se Shqipëria paraqet interes për biznesin kroat, veçanërisht në tre fusha në turizëm, në sektorin e energjisë dhe në infrastrukturën rrugore.
“Në turizëm, ku Shqipëria, me rreth 400 kilometra bregdet ende të pazhvilluar, ofron mundësi të jashtëzakonshme. Së dyti, në sektorin e energjisë, ku vetëm në dhjetor 2008, ne kemi lidhur kontrata për 3.5 miliard euro në energjinë hidrike”.
Kryeministri i njohu të pranishmit me diskutimet shumë të suksesshme me Kryeministrin Sanader në lidhje me gazsjellësin Trans-Adriatik (TAP)”. Të frytshme, kryeministri Berisha konsideroi edhe bisedimet për bashkëpunimin në kuadrin e energjisë nukleare, si energjia më e pastër dhe më e domosdoshmja për të plotësuar nevojat e rajonit me energji.
Berisha informoi, gjithashtu, se me palën kroate është rënë dakord të punohet bashkërisht që brenda këtij viti të hiqen vizat midis dy vendeve.

Shqipëri-Kroaci nënshkruajnë katër marrëveshje dypalëshe
 
1 - Protokolli shtesë mbi amendimin e marrëveshjes për inkurajimin e mbrojtjes reciproke të investimeve, nënshkruar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli dhe nga Damir Polancec, zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë së Kroacisë
2 - Marrëveshja midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kroacisë mbi amendimin e marrëveshjes së marrëdhënieve dypalëshe ekonomike, nënshkruar nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Genc Ruli dhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Ekonomisë së Kroacisë, Damir Polancec.
3 - Marrëveshja për punësimin e anëtarëve të familjes së anëtarëve të Trupit Diplomatik dhe posteve konsullore, e nënshkruar nga Ferit Hoxha Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare dhe Sekretari i Përgjithshëm e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kroacisë Bianka Matkoviç
4 - Protokolli midis Ministrisë së Brendshme të Republikës së Kroacisë dhe ministrisë së Brendshme të Republikës së Shqipërisë mbi riatdhesimin e personave me qëndrim të paligjshëm, nënshkruar nga Ivica Buconjic, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme kroate dhe Pëllumb Qazimi, Ambasadori i Shqipërisë në Kroaci.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›