“Qeveria realizoi anëtarësimin në NATO, shpejt liberalizimi i vizave për në BE”
Reagon kreu i PDK-së, Anton Gurakuqi
TIRANE - Partia Demokristiane dhe kryetari i saj, Anton Gurakuqi, vlerësojnë maksimalisht ecurinë e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Sipas një njoftimi zyrtar të PDK-ës, bëhet e ditur se, “në më pak se 10 muaj, 21 vende anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut kanë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë, çka dëshmon qartë jo vetëm mbështetjen, por edhe vlerësimet për institucionet shqiptare. PDK shpreh bindjen e plotë se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk përbën më një ëndërr për shqiptarët, por është një realitet. Shqiptarët ndoshta përbëjnë kombin e vetëm që në mbi 96 për qind të popullsisë përkrahin anëtarësimin në Aleancën e kombeve të qytetëruar”.
Në këtë kuadër, PDK i bën thirrje politikës shqiptare që të jetë në koherencë të plotë me vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe të lënë mënjanë interesat e ngushta partiake përballë interesit të të gjithë shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Gjithashtu, PDK shpreh bindjen se një tjetër ëndërr e shqiptarëve, ajo e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së do të bëhet realitet shumë shpejt, duke përmbushur në këtë mënyrë premtimin e dytë të madh që kjo mazhorancë qeverisëse ka bërë 4 vjet më parë.