“Shqipëria, progres të dukshëm në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore”
Raporti vjetor i Departamentit amerikan të Shtetit
Raporti i Ndërmjetëm Vjetor për Trafikimin e Qenieve Njerëzore në botë, e klasifikon Shqipërinë për vitin që shkoi, si vendin që ka bërë progres të admirueshëm në luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore, duke intensifikuar përpjekjet antitrafik nëpërmjet angazhimit institucional.
TIRANE - Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi në Kongresin Amerikan Raportin e Ndërmjetëm Vjetor për Trafikimin e Qenieve Njerëzore në botë. Në këtë raport vlerësohet se Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në përpjekjet e saj për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, që nga dalja e Raportit 2008.
Sipas zëvendësministres së Brendshme Iva Zajmi, mësohet se, raporti vlerëson Shqipërinë, për angazhimin serioz në demonstrimin e përmirësimeve rrënjësore në identifikimin e viktimave të trafikimit.
“Qeveria shqiptare gjithashtu ka rritur numrin e ndjekjeve penale dhe hetimeve, masat e dënimit të dhëna ndaj trafikantëve kanë qenë të duhura dhe të ashpra. Gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008, qeveria intensifikoi përpjekjet për dhënien e trajnimeve për zyrtarë, duke përfshirë këtu dhe zhvillimin dhe dhënien e një kursi nga Policia Shqiptare e Shtetit. Veç kësaj, qeveria caktoi rreth 20 police femra antitrafik në drejtoritë kundër krimit të organizuar në të gjithë vendin. Zyrtarët punuan për përmirësimin e funksionimit të Mekanizmit Kombëtar të Referimit për Viktimat e Trafikimit, duke identifikuar të paktën pesë herë më shumë viktima se në vitin e kaluar, si dhe lançoi bazën zyrtare të të dhënave, e cila mbledh informacion mbi menaxhimin e rasteve specifike të trafikimit. Qeveria ka rritur financimin e qendrës kombëtare të pritjes së viktimave me 16 për qind. Në korrik, qeveria aprovoi një strategji të re kombëtare për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, e cila është e mundshme për t’u aksesuar në website-in e ministrisë”, tha zëvendësministrja Zajmi, duke cituar raportin vjetor.
Në këtë kuadër, qeveria e Shqipërisë i merr këto vlerësime të Departamentit të Shtetit si një mbështetje serioze për përpjekjet e saj për të reduktuar përmasat sociale, humane dhe ligjore të trafikimit në vend.
“Qeveria e Shqipërisë shpreh me këtë rast edhe njëherë angazhimin e saj të plotë për të bërë gjithçka për të marrë në mbrojtje viktimat e trafikimit, për të parandaluar shfrytëzimin e personave vulnerabël si dhe për të ndëshkuar me drejtësi dhe rreptësi shfrytëzuesit e tyre. Në një shoqëri të zhvilluar nuk mund të ketë kompromis me shfrytëzimin dhe skllavërimin njerëzor”, u shpreh ndër të tjera zëvendësministrja e Brendshme Iva Zajmi.