Të anketuarit në sondazh, në shumicë votuan PD-në si forcë të parë fituese

Drejtori i Qendrës “Gani Bobi”, Shkëlzen Maliqi analizon rezultatet e sondazhit të dy ditëve më parë dhe shpjegon motivet pse të anketuarit, në një diferencë të konsiderueshme ishin shprehur në mbështetje të koalicionit qeverisës
TIRANE - Shkëlzen Maliqi, Drejtor i qendrës humanistike “Gani Bobi”, analizon rezultatet e sondazhit të publikuar vetëm një ditë më parë. Sipas tij, në sondazhin e kryer në muajin dhjetor të vitit 2008, u përfshinë 747 persona të cilët në rreth 49 për qind të tyre votuan Partinë Demokratike si forcë të parë menjëherë më pas renditej Partia Socialiste me rreth 37 për qind të votave. “Shifra e personave të përfshirë në sondazh në pamje të parë duket simbolike. Por në sondazhe të kësaj natyre më shumë se numri, duket se vlen kampioni i shtetasve të përzgjedhur”, sqaron Maliqi.
Si çdo sondazh i publikuar në prag zgjedhjesh edhe ai i qendrës “Gani Bobi” do të reflektonte skepticizëm. Një nga rezultatet që ngjalli jo pak reagim ishte se personat e përfshirë në sondazh, votuan në shumicë PD si forcë të parë por kur u pyetën se kush mund të ishte kryeministri më i mirë, identifikuan kryetarin e PS Edi Ramën. Maliqi analizon edhe këtë moment.
“Sondazhi ishte gati vdekjeprurës për partitë e vogla shumë prej tyre nuk kalojnë as pragun ligjor prej 2.5 për qind, përjashtuar këtu LSI-në që shkon deri në nivelin e 7 përqindëshit apo G 99 me rreth 3 për qind. Kjo, në fakt është një prirje e hershme e votuesve shqiptarë, që zgjedhin në shumicë vetëm partitë e mëdha”, shpjegon drejtori i qendrës së sondazheve “Gani Bobi”.
Me një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe i kontraktuar nga kompania amerikane “Penn Shon Berland”, “Gani Bobi” ka publikuar exit polle, të cilat kanë qenë shumë pranë shifrave zyrtare me një marzh gabimi që luhatet nga 2 deri 4 për qind.
Rasti i zgjedhjeve parlamentare të korrikut 2005.
Shumë shpejt “Gani Bobi” do të publikojë një tjetër sondazh duke ofruar orientimin e publikut shqiptar ndërkohë që i afrohemi zonës së nxehtë kur do të mbahen zgjedhjet e radhës parlamentare.
PD-ja denoncon censurën mediatike që urdhëroi kreu i PS-së për disa rrjete televizive
Edvini censuroi sondazhin profesional që e nxjerr atë humbës të sigurt
TIRANE - Partia Demokratike ka denoncuar sërish dje censurën dhe dhunën që kryesocialisti Edi Rama ushtron ndaj disa mediave të caktuara. Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani duke iu referuar sondazhit të qendrës prestigjioze “Gani Bobi” që nxjerr qartazi fitues koalicionin e djathtë tha se pikërisht për këtë Rama nuk ka lejuar publikimin se këtij lajmi në disa të përditshme.
“Censurues i fjalës së lirë, Mr. 20 përqindëshi, njeriu që po jeton frikën e dosjeve të krimeve të familjareve të tij, urdhëroi dje ‘Tele Belindën’ dhe ‘Tele Pallatin’, që i kontrollon me premtimin për listën e deputetit dhe anëtarë të qeverisë dhe u jep leje ndërtimi hyrjen e Tiranës; të mos transmetojnë konferencën për shtyp të një prej kompanive më serioze që ka parashikuar me saktësi zgjedhjet parlamentare të 2005 dhe zgjedhjet lokale të 2007-ës. Sondazhi i Qendrës ‘Gani Bobi’ i publikuar dje, tregon qarte se Partia Demokratike është fituese në zgjedhjet e 28 qershorit. Qytetaret i janë përgjigjur 3 herë pyetjes se për kë do të votonin në zgjedhjet e ardhshme. Grafiku e tregon qartë, Partia Demokratike kryeson ndjeshëm me 48.6 për qind të votave. Zoti Rama nuk duhet të ketë frikë nga sondazhet e pavarura. Zoti Rama nuk duhet të ketë frikë që Shqipëria po ndryshon”, deklaroi Bogdani.