“Rezultati i legalistëve, kontribut për fitoren e mazhorancës së djathtë”

Reagon kreu i PLL-së, Ekrem Spahiu
TIRANE - Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahiu ka dje deklaruar se rezultati i forcës politike që drejton, në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, do të jetë një kontribut në marrjen e një mandati të dytë nga mazhoranca aktuale. Zyra e shtypit pranë PLL-së bëri të ditur se zoti Spahiu zhvilloi një takim me strukturat drejtuese të degës së PLL-së Kurbin, ku dhe shprehu bindjen për fitoren e mazhorancës qeverisëse. “Pavarësisht mënyrës se konkurrimit, zgjedhjet e 28 qershorit kanë veçantinë se të gjitha partitë pjesëmarrëse do ta kenë veç emrin e tyre në fletën e votimit, çka shtron nevojën që PLL të pretendojë për mbledhjen e të gjitha votave të përkrahësve të saj, pa u shqetësuar se vota e tyre mund të nulifikohet”, deklaroi ndër të tjera Spahiu.
Ai i kushtoi rëndësi cilësisë së kandidatëve të PLL-së, të cilët “duke u propozuar nga baza, do të gëzojnë konsensus të plotë në rang qarku”.
“Partia Lëvizja e Legalitetit ka paracaktuar për të përfshirë në listën e saj kandidatë me integritet dhe reputacion të lartë moral, bartës të vetive qeverisëse dhe të çdo vlerë tjetër që është parashikuar në programin e Legalitetit”, theksoi kryetari i kësaj force politike, Ekrem Spahiu.