E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS tenton të godasë politikisht institucionin që u risolli shqiptarëve sigurinë e munguar”

Selia ylberiste sulmon për të disatën ditë më radhë Policinë e Shtetit

Ministria e Brendshme ka hedhur dje poshtë akuzat e radhës së Partisë Socialiste mbi rritjen e nivelit të kriminalitetit në vend për shkak të emërimeve partiake në policinë e shtetit. Duke i cilësuar deklaratat e djeshme të Sekretarit për Çështjet Ligjore në selinë rozë, Ylli Manjani, si joserioze, zëdhënësi Fatmir Konja tha se kjo ministri vëren me shqetësim provokimin e vazhdueshëm që i bëhet insitucionit të Policisë së Shtetit.
“Duke u gjendur në një vakuum politik, Partia Socialiste tenton të godasë politikisht atë institucion dhe ata njerëz që u risollën shqiptarëve sigurinë e munguar për tetë vjet me radhë. Sulmi politik që drejtohet ndaj atij institucioni, që arriti të godasë me sukses bandat e krimit të organizuar, nuk do të ndikojë aspak në një vazhdimësi të suksesshme. Sulmi politik që drejtohet ndaj atij institucioni, i cili bëri të mundur mbylljen e kanaleve të një transiti tetëvjeçar të drogës, nuk do të ndikojë aspak në një vazhdimësi të suksesshme. Sulmi politik që drejtohet ndaj atij institucioni, i cili u riktheu shqiptarëve rrugët e kontrolluara prej tetë vitesh nga maskat, nuk do të ndikojë aspak në një vazhdimësi të suksesshme. Sulmi politik që drejtohet ndaj atij institucioni, që sot është i pastër nga shefa policie që menaxhonin trafikun e qenieve njerëzore, nuk do të ndikojë aspak në një vazhdimësi të suksesshme”, deklaroi Konja.
Sipas tij Ministria e Brendshme shpreh bindjen se sulmet politike të Partisë Socialiste për të kompromentuar imazhin e Policisë së Shtetit, nuk do të cënojnë sigurinë e konsoliduar tashmë të shqiptarëve.
“Ministria e Brendshme shfrytëzon edhe njëherë rastin për t’i dhënë mbështetjen e saj oficerëve dhe punonjësve të policisë në punën e tyre të përditshme në përballje me të keqen”, përfundoi Konja.
Vetëm pak orë para këtij reagimi, zyrtari i lartë socialist deklaroi se “rendi publik vazhdon të goditet rënda nga ngjarjeve të rënda, pasi Sali Berisha emëron në krye të policisë persona me karrierë të spikatur në vjedhjen e votave dhe persona me precedentë të njohur në shkeljet e ligjit në ketë vend”.
Sipas tij, ngjarja më e fundit ku njëri prej Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë u plagos me armë, “është shprehja më e rëndë e kapitullimit të shtetit para krimit”.
“Krimi e bëri këtë gjë sepse siguria e shtetit politik të Sali Berishës bashkë me autorët e krimeve ka ikur drejtim të paditur”, deklaroi Manjani.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›