E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantëve që punojnë në Itali, u njihen vitet për pension në Shqipëri

Emigrantët shqiptarë që punojnë në Itali, mund të kërkojnë njohjen e viteve të punës që kanë kryer edhe nëse këto të fundit janë kthyer në atdhe. Shqiptarët që punojnë rregullisht në Itali si të pavarur, autonomë, profesionistë të lirë dhe sipërmarrës, por që janë me dokumente të rregullta, kanë mundësi që të marrin, pas derdhjes së kontributeve për sigurimet shoqërore, të njëjtat pensione të parashikuara ashtu si për punëtorët italianë. Sidoqoftë, në rastin e punës në varësi të dikujt, duhet që punëdhënësi të kryejë derdhjet për sigurimet shoqërore të parashikuara nga ligji në fuqi që ka parashikuar shteti Italian. Në rastet kur bëhet fjalë për një aktivitet të pavarur, derdhjet duhet të kryhen direkt nga vetë personi. Në momentin kur pushon aktiviteti, nëse janë plotësuar kërkesat e parashikuara, personi ka të drejtën e pensionit, për aq kohë sa ka ushtruar aktivitetin. Nëse personi dëshiron të kthehet në atdhe, ai mund të kërkojë njohjen e viteve të punës që ka kryer në Itali, duke dëshmuar pagesat e derdhura në llogari për sigurimet shoqërore. Kjo vlen në rastin kur ekziston një konventë internacionale mes  Italisë dhe vendit të origjinës së emigrantit, i cili kërkon pensionin. Konventa të tilla i japin mundësi secilit vend që të likuidojë pensionin në bazë të legjislacionit përkatës. Për këtë qëllim, e drejta për pension vlerësohet duke marrë parasysh kontributet e derdhura pranë të gjithë vendeve ku personi ka punuar. Ndërsa punëtorët jokomunitarë që kthehen në atdhe, duke i dhënë fund aktivitetit të tyre në vendin e huaj, nuk mund të kërkojnë likuidimin e kontributeve të derdhura. Me aprovimin e ligjit Bossi-Fini, kjo mundësi sekziston me hyrjen në fuqi të ligjit 189/2002. Kështu që duke nisur nga 2002, qytetarët jokomunitarë, të cilët kthehen në atdhe, nuk mund të kërkojnë më rimbursimin e kontributeve të derdhura. Gjithsesi, punëtori ruan të drejtën e sigurimeve shoqërore të maturuara dhe mund të përfitojë pension pas moshës 65 vjeç. Ky rregull zbatohet edhe në mungesë të një akordi reciprok të shtetit italian me vendin e origjinës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›