Shtyhet për 2 javë puna e komisionit hetimor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut

Kuvendi miraton ndryshimet në Kodin Civil
Kuvendi ka miratuar dje ndryshimet në Kodin civil të Republikës së Shqipërisë. Kodi civil mori 129 vota pro në Kuvend ku opozita votoi “pro” ndryshimeve në kod. Më herët ishte kreu i grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi ai i cili paralajmëroi voton “pro” për ndryshimet në kodin civile pavarësisht se sipas tij nuk ishte zbatuar rregullorja për shqyrtimin e tij. “Duke qenë që proceduarat nuk janë zbatuar nuk duhet ta kishit përfshirë në rendin e ditës. Ne kemi miratuar 3 marrëveshje për ligjet me shumicë të cilësuar ku opozita është treguar korrekte, për reformën zgjedhore që është pika e parë e rekomandimeve të KE-së dhe reforma parlamentare që nuk po ecet dhe nuk ka as merakun më të vogël nga shumica për të. Ne do ta japim votën tonë për ta kaluar sot në seancë për të dhënë mesazhin që nuk është opozita që po pengon, por është mazhoranca që po zvarrit reformën parlamentare dhe reformën zgjedhore”- ka theksuar Ruçi. Gjithashtu Kuvendi miratoi me 72 vota pro, 60 kundër dhe 1 abstenim për shtyrjen e afatit për 2 javë për komisionin parlamentar hetimor për Kreshnik Spahiun.