E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama, skenar për të spastruar partinë

Riorganizimi, kongresi pritet të bëjë votëbesim të asamblesë

Kongresi i 18 prillit i thirrur nga Partia Socialiste pritet të faktojë frikën që po shprehin përfaqësues të Mendimit Ndryshe në këtë parti, spastrimin e tyre nga strukturat drejtuese. Me një skenar të studiuar me kujdes, Rama dhe mbështetësit e tij kanë menduar mënyrën e këtij spastrimi. Siç mësohet nga burime pranë kësaj partie, pritet që Kongresi të mos synojë drejtpërdrejt gjuetinë e shtrigave, siç e quan kryetari i Asamblesë Gramoz Ruçi, por të mundësojë rrugën për të shkuar tek kjo gjueti. Një votëbesim i Asamblesë së partisë, me propozim të një pjese të delegatëve do të çojë detyrimisht në zgjedhje të reja të kryesisë dhe sekretariatit nga asambleja e re. Kjo është rruga që mësohet se do të sjellë dhe ndryshimet e mëdha në drejtimin e kësaj partie, ku Rama nuk ndihet aspak komod, sidomos në kryesi dhe sekretariat. Të dyja këto forume ai heziton ti mbledhë prej shumë kohësh, duke iu shmangur kështu konfrontimeve ballë për ballë me kundërshtarët brenda partisë, që për hir të së vërtetës megjithëse nuk përbëjnë shumicën, kanë një hapësirë të mjaftueshme për ta vënë në vështirësi vendimmarrjen dhe për ta kthyer në lajm debatin politik brenda mbledhjeve me dyer të mbyllura. Por këtë skenar që e pohojnë burime të sigurta brenda PS-së, nuk e mohoi në një farë mënyre as kryetari i asamblesë dhe së fundmi dhe kryetar i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi. Duke folur para disa ditës në një intervistë televizive, ai tha se kongresi mblidhet për të miratuar ndryshimet në statutin dhe programin e partisë, por nuk përjashtohet mundësia e diskutimit për riorganizimin e partisë. Ai tha se propozimet janë të lira, mund të vijnë nga çdo anëtar i kongresit. Por Ruçi nxitoi të sqaronte se në këtë riorganizim të mundshëm nuk do të kishte gjueti shtrigash. Por ndërkaq disa deputetë dhe anëtarë të LMN-së e kanë parandjerë këtë spastrim nga strukturat drejtuese, duke pasur parasysh se ata janë në pakicë dhe çdo hedhje në votim do ti penalizonte. Aktualisht në përbërjen e kryesisë janë kundër Ramës disa deputetë dhe disa anëtarë të tjerë që kanë shumë vite karriere partiake. Bëhet fjalë për deputetët Ben Blushi, Arben Malaj, Kastriot Islami, Andis Harasani, si dhe për anëtarët e kryesisë Eva Allushi, Saimira Pina, Lindita Nikolli dhe Mimoza Hafizi. Ndërkaq në sekretarët, Rama nuk ndihet aspak komod me Islamin sekretar për Çështjet Zgjedhore, Harasanin, sekretar për Programin Politik, si dhe Edlira Haxhiymerin, sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta dhe Marko Bellon, sekretar për Qarkun e Beratit. 

Ruçi nuk përjashton mundësinë e riorganizimit

Nuk përbën më mister fakti që kongresi i afërt i PS-së do të merret dhe me riorganizimin e partisë, vetëm mënyra se si do të ndodhë mbetet për tu parë gjatë zhvillimit të tij. Ndërkaq, vetë kreu i Asamblesë së PS-së, Gramoz Ruçi, la qartësisht të kuptohet kjo gjë, duke folur madje dhe për karriera të reja në forumet e PS-së dhe për votime të lira, që nënkupton një riformatim të asamblesë e si pasojë të kryesisë dhe sekretariatit. Nuk kemi ndonjë propozim konkret. Le ta lëmë në datën 18 prill, janë sovranë të gjithë, delegatët e Kongresit, anëtarët e Asamblesë janë sovranë për të bërë propozime konkrete dhe për të marrë vendime përkatëse, - tha Ruçi, i pyetur pak ditë më parë në një intervistë televizive. Ndërkohë nëse do të bëhen ndryshime pas propozimeve që mund të vijnë në kongres, Ruçi tha: Patjetër, kjo është një e drejtë statusore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›