Gjykata vendosi: Të pafajshëm, mbrojtën institucionet!

Nuk provohen akuzat për vrasje ndaj Ndrea Prendit dhe Agim Llupos. Prokuroria dështoi në të gjithë linjën e akuzës, duke mos mundur të mbronte asnjërin prej hetimeve të saj, as atë të qëllimit me dashje, e as atë të përdorimit të armëve në tejkalim të kompetencave
Reagimi i avokatëve/ Strategjia e gabuar e prokurorisë - nuk hetoi pjesëmarrësit në dhunën përpara Kryeministrisë”
Të pafajshëm! Mbrojtën institucionet! Ky është verdikti i Gjykatës së Rrethit Tiranë, për 3 gardistët e akuzuar për vrasjet e ndodhura gjatë demonstratës së dhunshme të opozitës, në 21 janarit të vitit 2011-të.
Trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha ka rrëzuar akuzën e Prokurorisë “për vrasje me dashje në rrethana cilësuese”. Sipas gjyqtarit nuk janë të provueshme të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria ndaj dy të akuzuarve. Ndërsa ka lexuar vendimin për dy të akuzuarit, gjyqtari Hoxha kërkoi lirimin e menjëhershëm të ish-gardistit Agim Llupo si dhe heqjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për ish-komandantin e gardës, Ndrea Prendi.
Sipas trupës gjykuese, edhe pas 40 seancave gjyqësore dhe mbi dy vit që nga dita e ngjarjes, organi i akuzës nuk arriti të provojë apo të sjellë dëshmi se të pandehurit Ndrea Prendi dhe Agim Llupo janë autorë të vrasjes së demonstruesve Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Ziver Veizi. Për këto tre vrasje, prokuroria kërkoi dënimin e të pandehurve Prendi dhe Llupo në total me 48 vjet burg.
Gjykata, pafajësinë e të pandehurve e bazoi edhe në vendimin e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, të cilët kanë deklaruar të pafajshëm një efektiv policie, i cili kishte vrarë shtetasin Carlo Giuliani-t gjatë një proteste të dhunshme kundër takimit të G8 në Xhenova në 2001 në Itali. Sipas këtij vendimi, “efektivi i policisë ka qëlluar në mbrojtje të institucioneve dhe kolegëve”. Ky argument u ngrit edhe nga avokatët mbrojtës dhe vet të pandehurit.
Prokuroria konfirmoi se vendimi do të apelohet, apel ky që pritet edhe nga avokati i Agim Llupos.
Në 21 janar të vitit 2011-të, Partia Socialiste organizoi një tubim përpara selisë së Këshillit të Ministrave, që shumë shpejt u shndërrua në një dhunë të paprecedentë kundër forcave të policisë dhe atyre të gardës, të cilët kanë për detyrë mbrojtjen e institucioneve. Për 5 orë me radhë, militantët e Partisë Socialiste, kontingjent kriminal i rekrutuar në këmbim të shumave në të holla, rrethoi Kryeministrinë, në përpjekje për të thyer kordonin e efektivëve të policisë, me qëllim intimidimin e Gardës së Republikës dhe nga kjo do përfitonin njerëzit e bombave molotov, gurëve të bulevardit dhe drurëve të sofistikuar veç për dhunë kundër policëve. Ata qëndruan si heronj dhe mbrojtën institucionet, ligjin dhe kushtetutën.
Sigurisht edhe deklarata e djeshme e Edi Ramës është vijim i përpjekjeve për agradivimin e puçit institucional me metoda të reja dhe e fundit që i ka mbetur është lufta mediatike me shërbëtorët në oborrin e tij.