E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të mos shtyhet më vendimi i liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor”

Ministrat e Jashtëm të BE-së, të gjithë njëzëri ripërsërisin kërkesën

TIRANE - Ministrat e Jashtëm të tetë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian i kërkuan dje Komisionit Evropian të mos shtyjë më tej marrjen e një vendimi për heqjen e regjimit të vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor.     
Ky apel u bë përmes një letre të përbashkët të ministrave të Jashtëm të Estonisë, Hungarisë, Italisë, Lituanisë, Letonisë, Polonisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë dërguar zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian, Jacques Barrot, dhe ministrit të Jashtëm çek, Karel Schwarzenberger, vendi i të cilit mban kryesimin e presidencës së radhës së BE-së.                
“Ne besojmë se vendimi i domosdoshëm për liberalizimin e regjimit të vizave duhet të merret menjëherë, sapo këto vende të përmbushin kërkesat dhe kriteret e kërkuara”, thuhej në këtë letër.
Kërkesa e shefave të diplomacisë së tetë vendeve të lartpërmendura, që shihet si një lloj “nxitjeje” për vendet e tjera anëtare, përfaqëson gjithashtu edhe njohjen e progresit të arritur nga vendet e Ballkanit Perëndimor në përmbushjen e etapave të parashikuara nga dokumenti “Roadmap” për liberalizimin e vizave.
“Komisioni duhet t'i rekomandojë Këshillit të Evropës që të shfuqizojë detyrimin për pajisjen me vizë të shtetasve të këtyre vendeve”, theksohej në letrën e nënshkruar nga tetë ministrat evropianë.
Një raport përfundimtar lidhur me këtë çështje do të prezantohet në mesin e muajit maj, kur Komisioni Evropian pritet të rekomandojë se cili nga vendet, apo cilat vende të Ballkanit Perëndimor janë kualifikuar për të përfituar nga heqja e regjimit të vizave.
Nëse një vendim i Këshillit të Ministrave të BE-së lidhur me këtë çështje në nëntor do të jetë pozitiv, atëherë aplikimi i një regjim i lirë pa viza do të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2010.
Një qëndrim të tillë ka shprehur dje edhe eurodeputetja gjermane Angjelika Beer, gjatë qëndrimit të saj në Shkup.
Bashkimi Evropian e ka për obligim që të vazhdojë procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Mosmarrëveshjet rreth emrit mes Shkupit dhe Athinës nuk duhet të jenë pengesë për integrimin e Maqedonisë në BE, deklaroi Beer.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›