E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri grek Karamanlis vizitë dyditore në fund të muajit në Tiranë

TIRANE - Kryeministri grek Kostas Karamanlis do të vizitojë Shqipërinë me datë 26-27 prill, një vizitë kjo e dyta e një kreu qeverie që nga viti 1991, kur Micotaqis u takua me krerët e lartë të shtetit në Tiranë.
Lajmi konfirmohet prej zyrës se shtypit pranë kryeministrisë greke.
Ende nuk jepen detaje lidhur me vizitën e kryeministrit grek, por mësohet se Kostas Karamanlis do të ulet në Tiranë mesditën e datës 26 prill, direkt nga Sofia, në përfundim të vizitës dy ditore në Bullgari me rastin e samitit të Sofjes për çështjen e “Gazit natyror për Evropën, siguria dhe bashkëpunimi” në datat 24-25 prill. Siç bëhet e ditur, vizita e Karamanlis pritet të forcojë marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve.
Vizita e Karamanlis do të sjellë forcimin e një sërë marrëveshjesh midis dy vendeve, ku më e rëndësishmja pritet të jetë ajo për ujërat mes Ministrive të Jashtme të dy vendeve dhe disa marrëveshje për bashkëpunimin ekonomik dhe ushtarak. Lajmi për vizitën e kryeministrit grek është bërë dje publike edhe nga media vendase e konkretisht e përditshmja “Kathimerini”.
 Kjo vizitë e kreut të ekzekutivit grek në vendin tonë bëhet në një moment kur Shqipëria sapo është anëtarësuar me të drejta të plota në NATO. Që nga 4 prilli për Greqinë, Shqipëria është partneri më i afërt strategjik në rajonin e nxehtë të Evropës juglindore. Për herë të fundit një kryeministër grek ka vizituar Shqipërinë 18 vjet më parë. Në 13 janar 1991 ish-kryeministri, Kostandionos Micotaqis vizitoi për herë të parë Tiranën në nivelin më të lartë duke shënuar dhe fillimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve fqinje pas shembjes së komunizmit në vendin tonë.
Gjatë dy viteve të fundit takimet e krerëve të lartë të dy shteteve kanë qenë të shumta. Kështu pak muaj pas marrjes së postit të Presidentit, Bamir Topi udhëtoi në nëntor të vitit 2007 në Greqi ku u takua me homologun e tij Karolos Papulias dhe kryeministrin Karamanlis. Klima e mirë e marrëdhënieve mes dy vendeve u vu re edhe muajt e fundit kur në një periudhë shumë të shkurtër Athina zyrtare ratifikoi protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO si dhe MSA-në.
Pak ditë më pas, pikërisht në 9 shkurt në Tiranë mbërriti ministrja e jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, e cila në cilësinë e kryetares së radhës së OSBE-së, vlerësoi konsensusin politik në vend, si dhe bëri thirrje për vazhdimin e reformës së pronësisë, zgjedhjeve dhe luftën kundër korrupsionit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›