E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mazhoranca shndërroi premtimet në një godinë të konsoliduar”

Lulzim Basha në punimet e Kuvendi i 9 e degës së PD-së në Librazhd

TIRANE - Arianit Leka u rizgjodh dje si kreu i degës së Partisë Demokratike në Librazhd, në përfundim të Kongresit të 9-të kësaj dege. Arianit Leka fitoi me 212 vota kundrejt 61 votave, që mori kandidati Bujar Vreto dhe 25 votave që mori kandidati i tretë Ndriçim Halili. 
Kryetari i rizgjedhur Arianit Leka, duke falënderuar të gjithë strukturat e rrethit të Librazhdit, të cilët e votëbesuan në këtë mandat të dytë, tha se “të gjithë së bashku do të punojmë që në rrethin e Librazhdit, PD të dalë me fitore në zgjedhjet e 28 qershorit.
Në punimet e kuvendit të 9-të të PD-së, në Librazhd, ishte i pranishëm kryetari i grupit të punës të PD për qarkun e Elbasanit dhe njëkohësisht ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha.
Basha u ndal në arritjet e qeverisë së djathtë gjatë këtyre katër viteve në pushtet.
“Tre vjet dhe tetë muaj më parë nisi rrugëtimin mazhoranca aktuale më e suksesshme ndonjëherë në historinë e Shqipërisë”, tha ministri Basha.
Ai kujtoi se mbi shpresën e besimin, nga Vermoshi në Konispol, nga Korça në Elbasan, PD ndezi fushatën fitimtare të korrikut të vitit 2005, “dhe tashmë i kemi shndërruar premtimet tona elektorale në një godinë të konsoliduar që quhet Republika e Shqipërisë, anëtare me të drejta të plota të NATO-s”.
“Sot, vijoi Basha, ne dalim përpara shqiptarëve me një bilanc të plotë të konsoliduar, që na bën ta mbajmë ballin lartë e t’i hedhim sytë tek flamuri ynë kombëtar që valëvitet krahë për krahë me flamujt e vendeve anëtare të NATO-s dhe kjo, sipas tij, është arritje e çdo shqiptari e çdo demokrati”.
Ministri Basha i argumentoi këto arritje me vullnetin politik të mazhorancës dhe kryetarit të PD-së Sali Berisha, që vetëm me reforma rikthehu besimin tek qytetarët shqiptarë. Duke folur për projektet e realizuara gjatë këtij mandati, Basha veçoi rikonstruksionin apo ndërtimin e mbi 1850 kilometra rrugë kombëtare dhe mijëra e mijëra të tjera rurale, ndërtimin e mbi 600 ujësjellësve, të mbi 900 shkollave, të mbi 400 kanalizimeve, rritjen e rrogave të arsimtarëve në 60 për qind, rritjen e rrogave të mjekëve, etj.
Në punimet e Kuvendit të 9-të të PD-së në Librazhd ishin të pranishëm dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ardian Turku dhe Zëvendësministri i Arsimit Halit Shamata.  

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›