Edi Rama të japë sqarime për shitjen e truallit te “Taiwani”

Partia Demokratike përsërit aferat korruptive të kryebashkiakut Partia Demokratike i bën thirrje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, të japë përgjigje për standardet e dyfishta në shitjen e dy pronave publike te Parku “Rinia” dhe te hotel “Dajti”, ku diferenca e çmimit të së parës me të dytën është 10 fish. Deputeti demokrat Florjon Mima deklaroi se Rama duhet të dalë publikisht për të dhënë sqarimet e duhura dhe jo të nxjerrë zëdhënëset si kamikazë për të kërcënuar të mandatuarit e popullit. “Jam këtu sot, i disati deputet i qarkut të Tiranës, që po i drejtoj publikisht Edi Ramës, pyetjen e mbetur pa përgjigje, duke konfirmuar se nuk do të lodhemi derisa ai apo organet e drejtësisë të japin përgjigje se përse toka rreth ish-hotel ‘Dajtit’, është shitur nga Edi Rama me 1500 euro metri katror ndërsa vetëm disa metra larg saj, në parkun Rinia, pranë objektit “Taiëan” ajo është shitur me 97 euro metri katror? Edi Rama duhet të gjejë kurajon të dalë e të përgjigjet vetë e të mos nxjerrë në ekrane zëdhënëset e tij të cilat jo vetëm kërcënojnë deputetët e popullit, por paturpësisht vendosin edhe epitete ndaj tyre. I them Edi Ramës se ne nuk kemi frikë nga kërcënimet e tij e nëse ka njeri që duhet të ketë jo lepurin, por mamuthin në bark duhet të jetë ai. Edi Rama të mos përdorë si gjethe fiku ata që sot shesin një pronë 500 mijë euro e nesër e blejnë po atë për 1 euro”, u shpreh deputeti Florjon Mima.Gjithashtu, deputeti i selisë blu, bëri me dije se është hedhur dritë mbi një tjetër krim të Edvin Ramës dhe këtë herë është zbardhur në zonën e “Ali Demit”, ku është dhunuar e drejta pronësore e një familjeje dhe mbi një “lulishte”, pritet të ngrihen pallatet shumëkatësh të kryebashkiakut dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. “Këto ditë na është bërë e ditur nga një grup banorësh te ‘Ali Demit’ se një tjetër shkelje flagrante është kryer nga kreu i bashkisë, në dhunim të hapur të të drejtës pronësore të një familjeje tradicionale tiranase dhe në kundërshtim flagrant me vendimet e gjykatave të këtij vendi duke uzurpuar një pronë të ligjshme e cila nga sipër duket si lulishte, por nëntokë mban themelet e grataçielave të tij. Me detajet e këtij krimi do të njiheni në ditët në vijim”, deklaroi deputeti i selisë blu, Florjon Mima....