“Edi Rama të votojë tre ligjet”
Pasardhës të firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë firmosin letrën drejtuar kreut të PS-së
Kërkesa publike e personaliteteve shqiptare, që Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, të lejojë deputetët e opozitës të votojnë 3 ligjet e integrimit, ka marrë mbështetjen edhe të familjeve me kontribut historik në themelimin e shtetit shqiptar.
Pasardhës të firmëtarëve të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë i janë bashkuar kësaj iniciative, që vendos interesin e kombit shqiptar mbi çdo interes dhe llogari tjetër personale.
Kontribuues në nismën “Pro Integrimit” janë bërë me firmat e tyre, pasardhësit e baballarëve të kombit Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Xhelal Koprencka, Abdi dhe Murat Toptani, Mithat Frasheri, Hajredin Cakrani, Veli Harci, Qemal Elbasani, Bedri Pejani, Lef Nosi, Mustafa Merlika. Salih Gjuka, Vehbi Agolli, Zihni Abaz Kanina, Nebi Sefa, Dhimiter Emanuel, Ali Struga.
Duke iu bashkuar nismës së elitës shqiptare, që i kërkon zotit Edi Rama, të mos pengojë votimin e 3 ligjeve të integrimit europian të vendit, ata besojnë se nderojnë veprën e paraardhësve të tyre, firmëtare të Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë.
Kërkesa për votimin e 3 ligjeve të integrimit nga zoti Edi Rama është në të mirën e çdo shqiptari dhe kundër askujt.
Duke mbështetur këtë lëvizje, pasardhësit e firmëtarëve të Pavarësisë thonë se, “U ndjemë të lënduar nga gjuha e urrejtjes që Kryetari i PS përdori kundër nesh dhe intelektualëve shqiptarë. Një gjuhë e njëjtë me atë që përdorte Enver Hoxha kundër elitës shqiptare, të cilën e ekzekutoi pa gjyq, e burgosi, e internoi dhe e eliminoi. Të njëjtin fat pësuan edhe pjesa më e madhe e themeluesve të shtetit shqiptar, firmëtarë të Deklaratës së Pavarësisë. Ne sot jemi të lirë dhe, si 94 për qind e shqiptarëve, kemi zgjedhur rrugën tonë drejt familjes europiane! Zoti Rama, bashkohu me ne! Bashkohu me shqiptarët!”.
Pasardhësit e firmëtarëve të Pavarësisë
Arjana Vlora (mbesa e Ismail Qemalit)
Agetina Gazmaxhi (mbesa e Luigj Gurakuqit)
Lili Koprencka Kreshpani (mbesa e Xhelal Koprenckës)
Roland Toptani (familjar i Murat Toptanit)
Najada Petrela (pasardhëse e Mithat Frasherit)
Luftar Cakrani (pasardhës i Hajredin Cakranit)
Bledar Hoxha (pasardhës i Veli Harcit)
Qemal Karaosmani (pasardhës i Qemal Elbasanit)
Meleqe Bakalli (mbesa e Bedri Pejanit)
Skënder Kosturi (pasardhës i Lef Nosit)
Fatos Merlika (i biri i Mustafa Merlikës)
Halil Gjuka (pasardhës i Salih Gjukes)
Asije Resuli (e bija e Vehbi Agollit)
Safo Morina (vajza e Zihni Abaz Kanina)
Nebi Sefa (nip i Nebi Sefes)
Sofika Emanuel ( familjar i Dhimiter Emanuel)
Fatmir Dibra (i biri i Ali Struges)
Gajda Toptani (pasardhëse e Abdi Toptanit)