E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS humbet më 23 qershor - e majta s’unifikohet me tezën e ‘bashkimit të qelbësirave’”

15-01-2013 / Gazeta 55

Intervista/Flet deputeti Kastriot Islami

“Bamir Topi duhet të ndjehet i ofenduar nga terminologjia e përdorur nga Rama në ‘Twitter’”

Kastriot Islami, kryetar i Kuvendit të parë pluralist, një ndër figurat intelektuale, disa herë ministër, ish ministër i Jashtëm një prej figurave kryesore të Partisë Socialiste dhe ndoshta një prej bashkëthemeluesve të modernizimit të kësaj partie së bashku me ish-kryetarin e Partisë Socialiste zotin Fatos Nano, i ftuar në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka në UTV, analizon zhvillimet politike parazgjedhore, duke dhënë një diagnozë të prirjes elektorale në 23 qershor.
Islami thotë se e majta dhe Partia Socialiste shkon pa asnjë ide koalicioni në zgjedhje, pasi sipas tij, Rama është duke i shtrirë dorën Ilir Metës, në një përpjekje imorale me atë që bëri në 21 janar 2011-ë. Edhe në kushtet e një bashkëpunimi PS-LSI, thotë Islami, e majta sërish do dilte humbëse në zgjedhjet e qershorit, nga ndasia e grupeve brenda partisë, do sillte përçarjen e votave.
Sipas tij, PS shkon si humbësi edhe në 2017-ën, nga problemet e brendshme të saj, keqorganizimi dhe shndërrimi i partisë në përçuese të interesave personale të lidershipit.
“Tani, 2013-ta vihet në bazë të ngjarjeve të 21 janarit. Pra kishim një video e cila lidhej me kryetarin e LSI. Patëm një manifestim për 21 janarit. Në LSI ka një grupim njerëzish që vazhdojnë të besojnë se video ishte pjesë e skenarit të drejtuar nga Rama kundër Metës. Atëherë në qoftë se kjo gjë nuk kurohet në LSI, këta e kanë shumë të vështirë të votojnë për një koalicion. Nga ana tjetër sa herë përmendet koalicioni i PS me LSI ka një segment bile me zë të fortë PS që thotë se ne për arsye morale nuk duhet të bashkohemi me LSI. Dhe në qoftë se do të bëhej ky bashkim vetëm midis dy liderëve ka shumë mundësi që ky segment edhe në këtë zë i cili është zë lidershpi në PS, të mos e ndiqte këtë dhe kjo të ndodhte që dy segmentet duke mos e votuar, bëjnë që ky koalicion të mos funksionojë, dhe n.q.s nuk funksionon, nuk do të kenë  votat e mjaftueshme për të mundur të djathtën. Është e thjeshtë, as shpikja e as dëshira ime. Por është një fakt i 2007-ës, i analizuar në këtë këndvështrim dhe del që në 2013-ën kushtet janë përkeqësuar. Ka një problem po të pyesësh ata që kanë 20 vjet që merren me PS dhe kanë një farë eksperience do të të thonë se PS vuan nga mos organizimi. PS nuk ka më avantazhe, Rama u desh ta shkatërronte këtë aset që mendohej se ishte e vetmja mënyrë, për ta kthyer PS-në në forcë fituese. Jo se duhet që PS të mos fitojë, por nuk dua t’i lë në ëndërr dhe të më thonë siç thanë në 2009-ën, “pse s’na thatë”. Jam i detyruar tua them edhe është më mirë të mos vazhdojnë të qëndrojnë në ëndërr, pasi shanset në këtë rrugë që ndodhen, janë të mos fitojë. I bie që PS, të jetë forcë jo fituese deri në 2017-ën. Dhe kjo për shkak të drejtimit saj dhe veprimeve të Edi Ramës”, u shpreh ai.
Për ish deputetin socialist, për sa kohë në PS do dominojë politika e nëpërkëmbjes së sistemit të vlerave, fryma përjashtuese dhe mbivendosja e figurave me kontribute në PS me 99-shat dhe MJAFT-istët.
Gjithashtu, Islami e sheh me skepticizëm koalicionin e majtë në zgjedhjet e ardhshme, pasi sipas tij, Rama ka krijuar pabesueshmëri ndaj aleatëve.
Sipas tij, e majta nuk unifikohet me tezën e “bashkimit të qelbësirave”.
“Në qoftë se të gjitha vlerat e kapacitet e PS nuk do vlerësohen mbi bazën e një skeme vlerash dhe meritash, por do vazhdohet të thuhet se, kjo nuk është më partia që gjeta unë, por ka ndërtuar një parti të re dhe partia e re është krijuar mbi G 99-ën dhe me hile për të ruajtur si alibi disa elemente me këtë skemë. Rrethi i 2 është me aleatët ku unë nuk gjej ende një aleat që të jetë i qartë. Pra edhe aleatet janë totalisht të pasigurt. Kërkuan fillimisht ndryshimin e sistemit, Rama luajti atë lojë që dihej pavarësisht se kishte lënë në 2009 shumë personazhe pranë tij të hidhnin kritika mbi sistemin të shesin tezën që në humbëm për shkak të sistemit sepse e bëri islami, por vetë nuk i ka lëvizur asnjë presje sistemit. Po të pyeten të gjithë aleatët se cili është sistemi ende nuk e dinë se cili është roli i tyre, përfitimi dhe kontributi në një skemë.
Tentoi ta aplikonte në 2007-ën dhe që nuk e aplikoi në 2009-ën, është ‘Bashkimi i së Majtës’. Por e majta nuk bashkohet as duke hedhur tezën, jo ai vetë, por njerëz shumë pranë tij, ‘e bashkimit të qelbësirave’, si mundet Meta të bëhet pjesë e një koalicioni kur i thua që do bashkohen të gjithë “qelbësirat”, mjafton për të rrëzuar regjimin e Berishës. Pra, unë nuk pranoj të etiketohet një front opozitar me termin ‘bashkimi i qelbësirave’”, tha ai.
Islami ka një mesazh edhe për Bamir Topin. Sipas tij, ish presidenti duhet të ndjehet i fyer për terminologjinë me të cilën iu drejtua në “Twitter”, Rama.
“I hedh tezën para disa ditësh FRD-së në “Twitter” ku i flet me një terminologji që unë po të isha ish-president i vendit, do të isha ofenduar shumë. ‘Po të them rishtaz mos vuaj nga kompleksi i virgjërisë’. Termi që, ftohet një aleat që ti mendon të ndash kontribute dhe qeverisje të përbashkët, kur flitet me një aleat, aq më tepër me një që ti ke dhe vlerësimin pozitiv, është shumë e rëndë qoftë dhe në trajtë figurative”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›