Edi Rama thyen ligjin për deklarimin e të ardhurave
PD: Kryesocialisti të japë shpjegime për mashtrimin e tij
Partia Demokratike akuzon kryesocialistin Edi Rama se ka shkelur ligjin pwr deklarimin e te ardhurave. Selia blu, ka ngritur një sërë pyetjesh se përse kundërshtari politik refuzon të përgjigjet. “Kanë kaluar pesë ditë dhe akoma nuk e kemi dëgjuar të vërtetën nga Edi Rama mbi arsyet për thyerjen e ligjit për deklarimin e të ardhurave. Dhe, me çdo ditë heshtje që kalon, ngrihen pyetje edhe më serioze mbi mashtrimin e Ramës. Edi Rama akoma nuk u është përgjigjur pyetjeve elementare mbi deklarimin e të ardhurave nga dje. Qytetarët meritojnë të vërtetën. Dhe akoma pas pesë ditësh Edi Rama refuzon të përgjigjet”, deklaroi zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi. Sipas saj, tani është mësuar nga media që Edi Rama jo vetëm nuk ka bërë deklarimin e të ardhurave sipas normativës ligjore, por Edi Rama nuk ka paguar as taksat mbi të gjithë të ardhurat e tij. Kjo është se çfarë dimë: “Vetë Edi Rama ka thënë se ka fituar 9.3 milion Lek nga Kurban në vitet 2011 dhe 2012 - shifër publike në deklaratën e tij personale dhe në spotet e tij televizive! Por sipas raportimeve të mediave, Edi Rama ka evaduar të paktën 4.98 milion Lek nga këto të ardhura. Janë të paktën 498.000 Lek taksa të papaguara! Dhe të njëjtat raportime të mediave tregojnë që kjo shifër mund të shkojë deri në 700.000 Lek taksa të papaguara. Por ne nuk e dimë këtë, pasi Edi Rama e ka fshehur të vërtetën nga qytetarët”, theksoi ajo. Ndërsa qytetarët meritojnë të vërtetën –Rama u detyrohet të përgjigjet edhe për këto pyetje: 1. Pse ka një diferencë midis 9.3 milion Lek që deklaron Rama nga Kurbani dhe 4.3 milion Lek që deklarohen që ka paguar botuesi? Nga kanë ardhur 5 milion Lek të ardhura të pashpjegueshme që deklaron Rama? 2. A ka kontraktuar shpërndarës të tjerë për librin Rama? A ka fituar të ardhura të tjera duke shpërndarë Kurbanin vetë? Në të dy rastet, Rama ka përgjegjësinë për të qartësuar të ardhurat – dhe të sigurohet që ka paguar taksat për këto të ardhura. A e ka bërë këtë? 3. Kur më në fund Rama plotësoi deklarimin e të ardhurave me 7 Qershor, a e ka plotësuar diferencën e obligimeve tatimore? Dhe a i ka paguar këto taksa apo jo? Në fillim, kjo u duk si një problem i thjeshtë harrese nga Rama për të plotësuar deklarimin dhe hedhja e fajit tek të tjerët – siç bën gjithmonë. Sepse kështu është ai! Por tani pyetjet janë bërë më shqetësuese. Qytetarët meritojnë përgjigje. Është koha që Rama t’i japë fund fshehjes nga qytetarët, së skemës së tij të evazionit dhe të ballafaqohet me qytetarët.