Kollozi: Opozita bllokuese, alternativë që do të refuzohet

Kreu i PD Vlorës takimi me banorë të lagjes “1 Maji” dhe “Ujit të ftohtë”
Një fushatë qytetare ku demokratët pasqyrojnë alternativën dhe ofertën e tyre për vlonjatët e shqiptarët. “Ky është qëllimi e kjo do të jetë filozofia e kësaj fushate”, ka theksuar sërish kreu i demokratëve të Vlorës, Ardi Kollozi, gjatë një takimi me banorë të lagjes “1 Maji”, pranë “Pyllit të Sodës” dhe tek “Uji i Ftohtë”. Vlonjatët, të shumtë në numër, pritën me entuziazëm kandidatin demokrat, ndaj të cilit dëshmuan mbështetje për të dhe alternativën që demokratët ofrojnë. Kollozi theksoi se mazhoranca në këto vite ka investuar për vendin, duke çuar përpara zhvillimin, pavarësisht se përballë ka pasur dhe ka vetëm alternativën e bllokimit. Kreu i demokratëve të Vlorës është ndalur tek legalizimet, duke theksuar se procesi do të përfundojë brenda 31 dhjetorit. Ai ka përmendur edhe ndryshimet ligjore, tashmë në fuqi, të cilat i hapin rrugë formalizimit e legalizimit të mijëra ndërtimeve në të gjithë vendin, të kryera pas vitit 2006, por njëkohësisht edhe të tjera lehtësi për ndërtuesit informal, sikundër janë pagesat me bono, lehtësim financiar tejet i domosdoshëm për këto familje.