E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama viziton zonën e tërmetit

Zonat e prekura nga tërmeti në Rrethin e Bulqizës janë vizituar dje paradite nga kreu i opozitës, Edi Rama. Kryetari i PS-së ka vizituar së pari familjen e Ramazan Kacit në fshatin Boçevë të Komunës Shupenzë, familje kjo që përveç dëmeve materiale, natën e së dielës pati edhe një person të plagosur rëndë. Rama u kujdes të mos mblidhte pas vetes kameramanë e gazetarë, duke u thënë familjarëve të prekur nga fatkeqësia natyrore se nuk kishte shkuar për të bërë politikë, por për t‘iu gjetur pranë në këto ditë të vështira. Rama i ka pyetur njerëzit nëse janë trajtuar me ndihma nga autoritetet vendore dhe u ka premtuar se ai do të ushtrojë autoritetin e tij si shef i opozitës për të vënë në lëvizje strukturat shtetërore. Kryesocialisti ka vizituar edhe në Komunën Gjoricë disa familje të dëmtuara nga tërmeti i 6 shtatorit. Pas tërmetit me magnitudë 5,4 ballë të shkallës Rihter me epiqendër në Fushën e Gjoricës, në vendngjarje shkoi një ditë më pas Kryeministri Sali Berisha. Ai mori pjesë në një mbledhje të shtabit të emergjencës dhe pasi u informua për situatën, u la disa detyra pushtetarëve vendorë dhe të dërguarve nga qeveria qendrore. Edi Rama është i pari kryetar partie që shkon në këtë zonë pa mision shtetëror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›