E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, arrestohet një tregtar dhe dy shoferë

Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit për kontrabandë, ndërkohë që është sekuestruar malli i tyre, me vlerë totale prej 120 mijë eurosh. Operacioni për zbulimin e linjës së kontrabandës është ndërmarrë nga antikrimi ekonomik, në bashkëpunim edhe me tatim-taksat, që ka sjellë prangosjen e një tregtari dhe dy shoferëve autobusësh, të cilët e ndihmonin të sillnin mallin nga Greqia në Shqipëri. Pëllumb Shelqezi dhe Romeo Karafili janë dy shoferët, që u prangosën të parët dhe pas marrjes në pyetje treguan se malli i përkiste Shkëlqim Sadikut, i cili edhe ky u arrestua nga specialët e policisë. Madje, në momentin e arrestimit, Sadiku po ngarkonte mallin në një makinë me targa të huaja. Gjatë kontrollit në dyqane, policia zbuloi edhe një tjetër tregtar veshjesh, i cili ndiqet penalisht në gjendje të lirë.

Operacioni
Sipas të dhënave zyrtare, në kuadër të operacionit policor "Udhëtari", të realizuar nga specialistët e seksionit kundër krimit ekonomiko financiar, në bashkëpunim me agjentët e mbikëqyrjes dhe operacioneve speciale, punonjësit e sektorit të forcave të posaçme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës dhe specialistët e strukturës së hetimit tatimor pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Tiranë, u mundësua arrestimi në flagrancë i tre personave të cilët prej kohësh dyshoheshin dhe survejoheshin për aktivitet kontrabandë me Greqinë. "Në pranga përfunduan Pëllumb Ali Shelqezi, 36 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Lundër, dhe Romeo Astrit Karafili, 44 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, shoferë pranë subjektit të një agjencie private udhëtimi. Më pas u arrestua edhe Shkëlqim Ferat Sadiku, 36 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, tregtar si subjekt privat", deklaroi zyrtarisht policia. Dy personat e parë, Pëllumb Shelqezi dhe Romeo Karafili, të cilët punojnë si shoferë të autobusit të linjës të udhëtarëve Tiranë-Athinë-Tiranë janë kapur në flagrancë te rruga "Jordan Misja", në një parkim autobusësh pranë vendit të quajtur "Nyja e Betonit". Në momentin e arrestimit, ata ishin duke kaluar mallin nga autobusi për te mjeti tip "Opel Vektra", me targa greke IHT 4344, i cili drejtohej nga Shkëlqim Sadiku. Pas hetimeve të kryera rezultoi se Sadiku është edhe porositës i mallit. Për këta persona, policia deklaroi se kishte informacione se sillnin nga Greqia nëpërmjet pikës së kalimit kufitar Kakavijë, mallra industriale, si: pantallona, xhins, këmisha, jelekë xhinsi, xhaketa të ndryshme, funde dhe bluza të llojeve të ndryshme, të cilat i kalonin të fshehura në autobus, me qëllim shmangien nga detyrimet doganore.

Kontrolli
Në momentin e kapjes në flagrancë, tre shtetasit e mësipërm po shkarkonin mallrat, të cilat i kishin fshehur në një nga autobusët e linjës së udhëtarëve, me targa TR 7215 L. Gjatë veprimeve procedurale u ushtrua kontroll edhe në ambientet e subjekteve tregtare: "Kushtrim Abazi" dhe "Shkëlqim Sadiku", që kishin porositur mallin, ku rezultoi se kishte mallra të pajustifikuara me faturë tatimore, mall i cili u konfiskua në cilësinë e provës materiale. Sipas policisë, gjatë operacionit u sekuestruan edhe autobusi i linjës, me targa TR 7215 L dhe vetura tip "Opel vektra", me targa IHT 4344. Vlera e veshjeve kontrabandë, tashmë të sekuestruara, arrin në 120 mijë euro.
Ndërkaq, policia tha se edhe Kushtrim Abazi u dërgua për ndjekje penale. Sipas të dhënave hetimore, edhe në dyqanin e tij u gjetën mallra kontrabandë, por në sasi më të vogël, kështu që u la që ai të ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Ndërsa për tre shtetasit e mësipërm, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale të "tregtimit dhe transportit të mallrave kontrabandë", "kontrabanda me mallra të tjerë" dhe "zbatimi i ligjit ndaj personave juridik".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›