Vazhdojnë gjobat për shoferët, por ndodhin dhe tre aksidente
Vazhdon aksioni i policisë rrugore për parandalimin e aksidenteve, ndërkohë që tre të tillë kanë ndodhur ditën e djeshme, duke sjellë një të vdekur dhe dy të plagosur. Bashkë me uniformat blu të Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, në aksion janë bashkuar edhe efektivët e Patrullës së Përgjithshme, të cilët kanë intensifikuar punën për goditjen e të gjithë shkelësve të rregullave rrugorë. Kështu, për tre aksidentet e ndodhura, policia ka arrestuar një drejtues mjeti dhe ka dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë dy të tjerë. Në lidhje me këtë, policia deklaroi se specialistët e seksionit të hetimit të aksidenteve rrugore, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Ledion Agron Patogu, 27 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi te sheshi "Rilindja" në Laprakë, përballë godinës 5-katëshe, ku ndodhet kompania "Intersig", duke drejtuar mjetin tip "Volkswagen", me ngjyrë gri, me targë TR 4445 C, ka aksidentuar këmbësorin A. B., 77 vjeç, i cili është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Pak kohë më vonë, ai gjeti vdekjen. Gjithashtu, policia tregoi se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Artur Loçkën, 35 vjeç, banues në Yrshek, sepse rreth orës 08:40, duke drejtuar mjetin "Ford", me targa TE 307147, ka aksidentuar këmbësoren Pashkë Gjoka, 48 vjeçe, e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Për ndjekje penale në gjendje të lirë u dërgua edhe Dritan Osumi, 24 vjeç, banues në Shkozë, sepse rreth orës 12:45, në kryqëzimin e rrugës "Don Bosko", përballë shkollës "Harry Fultz", duke drejtuar motorin "Lifan", pa targa, ka aksidentuar këmbësorin Mustafa Huta, 77 vjeç, i cili pas mjekimit në spital, ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe kurohet në banesë.