E Diel, 1 Nëntor 2026

Lirohet Klejdi Kote, supermashtruesi

Mashtruesi më i famshëm shqiptar dje ka lënë qelinë. Klejdi Kote, një nga personazhet e botës së krimit gjatë viteve 1999-2000 është liruar përfundimisht, pasi i ka mbaruar dënimi që mbante mbi shpinë. Megjithëse i dënuar me 11 vjet burg nën akuzën e mashtrimit, Kote ka përfituar ulje dënimi të njëpasnjëshme, si dhe amnisti të presidentëve të ndryshëm, çka ka sjellë lirimin e tij të parakohshëm. Vetëm disa muaj më parë ai përfitoi një ulje dënimi prej dy muajsh. Krimi i parë elektronik në Shqipëri mbante emrin e Klejdi Kotes dhe është kryer duke zbatuar një skemë perfekte mashtrimi. Ndërsa arrestimi i tij është bërë fare rastësisht teksa kalonte me biçikletë, si për karshillëk, përpara policisë së kryeqytetit. Ai është dënuar me 11 vjet heqje lirie, ndërsa vendimi është dhënë në vitin 2000. Disa kohë më parë ai pretendonte se i kishte mbaruar dënimi prej amnistive të shumta, të cilat i kanë ulur tre vite dënimi. Kote ka përpiluar vetë të gjitha dokumentet dhe i ka dorëzuar në gjykatë duke kërkuar lirinë. Dhe është shpërblyer. Pas përpjekjeve të shumta ai ka fituar lirinë. Sipas dosjes hetimore, në vitin 1999 njëra prej Bankave të Kursimeve raportoi se i ishin vjedhur 250 milionë lekë të vjetra, një shumë tepër e madhe për kohën. Kjo alarmoi policinë e Tiranës, e cila u habit edhe më shumë kur mësoi se grabitja ishte kryer pa vënë në përdorim armët apo dhunën. Një djalë i ri kishte hyrë qetësisht në bankë dhe kishte paraqitur dokumentet sikur ishte trashëgimtari dhe pasardhësi i një biznesmeni nga Berati, i cili sapo kishte "vdekur". Me një certifikatë vdekjeje në dorë, një grua që thoshte se ishte e veja e biznesmenit dhe me aktin e trashëgimisë, Kote i ka kërkuar arkëtares që t‘i jepte shumën e merituar. Një verifikim i shpejtë i bankës tregoi se gjithçka ishte e vërtetë dhe se djali i ri duhet të merrte paratë që i takonin. Por pak kohë më pas punonjësit e bankës janë trembur kur kanë parë "fantazmën‘ e biznesmenit të vdekur, i cili kërkonte paratë që kishte depozituar. Në këtë moment u zbulua mashtrimi me emrin Klejdi Kote që përfshinte një grua "të rreme", një punonjës banke të implikuar në çështje dhe katër falsifikatorë dokumentesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›