Edi Rama, zgjidhet Kryebashkiaku Botëror i vitit 2004
07/12/2004 Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, wshtw zgjidhuar Kryebashkiaku Botëror i vitit 2004. Një nga 50 konkurentët e Konkursit Ndërkombëtar që organizohet qysh nga viti 2003, Edi Rama është mbështetur fuqimisht jo vetëm nga komuniteti i kryeqytetit shqiptar, por edhe nga mijëra votues të vendeve europiane dhe Amerikës. I dyti në konkursin për Kryebashkiakun e Botës për 2004, ishte Kryetari i Bashkisë së Meksico City, Andres Manuel Lopez Obrador, i cili mori pothuaj të njëtin numër votash si Edi Rama, por mbështetësit e tij qenë më së tepërmi meksikanë. Valter Veltroni, Kryebashkiaku i Romës, u rendit në vend të tretë në këtë garë dhe gëzoi një mbështetje ndërkombëtare të gjerë. Në Janar 2004, City Mayors, lançoi në internet konkursin “ Kryebashkiaku Botëror për 2004”. Qëllimi ishte rritja e profilit të Kryetarëve të Bashkive në mbarë botën si dhe vlerësimi për ata që i kanë shërbyer komunitetit të tyre më së miri dhe që kanë kontribuar për mirëqënien e qyteteve të tyre në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Kryebashkiaku më i shquar, do të nderohej më titullin e Kryebashkiakut Botëror të Vitit 2004. Në fund të Tetorit 2004, më shumë se 35 mijë njerëz dhanë votën dhe komentin e tyre nëpërmjet internetit për atë që duhet të fitonte këtë çmim. Votuesit nga Europa numërohen të jenë rreth 41% të numrit total të votuesve. Votuesit amerikano - veriorë mësohet të jenë rreth 35%, ndërsa Azia kontribuoi me 14 % votues në këtë projekt. 4% votues numërohen të jenë nga Amerika Qendrore dhe Jugore, pjesa tjetër vjen nga vende të tjera të botës përfshirë këtu Afrikën dhe Australinë. Dy konkurentët për vend të parë, Edi Rama (Tirana, Albania) dhe Andrés Manuel López Obrador (Mexico City, Mexico), morën më shumë se 5,500 vota.