E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeverisë i kërkohen të zhbllokojë fondin 16 milionë lekësh

07/12/2004  Deputetët e Shkodrës kanë kërkuar dje reagimin e menjëhershëm të qeverisë në lidhje me përmbytjet në këtë qytet, për shkak të reshjeve të mëdha. Për dy orë me radhë, deputetët kanë replikuar me ministrat në lidhje me shkakun e përmbytjeve. Sipas tyre, ka qenë mungesa e lajmërimit të popullsisë si dhe hapja e vonuar e portave të digës, që ka sjellë përmbytjen e këtij qyteti. Ndërsa shkak për këtë është vlerësuar fakti se 7 deputetë të demokratëve kanë dalë nga Shkodra. Dje janë hedhur poshtë dhe deklaratat se nuk ka lidhje mes shkakut të përmbytjes dhe hapjes së portave të digës. Demokratët argumentuan se hapja e portave ka sjellë rritjen e nivelit të ujit në lumin e Bunës.

Reagimi

Deputetët e PD-së thanë se situata në Shkodër ka ardhur nga fakti se qeveria po krijon një klimë diskriminuese ndaj qyteteve që votojnë pro përfaqësuesve të partive të djathta. Sipas tyre, situata e krijuar nga përmbytjet "është pasojë e mungesës së vëmendjes së qeverisë. Hapja e portës së Hidrocentralit të Vaut të Dejës u bë në kundërshtim me rregulloren, duke shkaktuar përmbytjen e madhe të qytetit verior", thanë ata gjatë seancës së djeshme plenare. Kjo është shoqëruar me shifrat e fondeve të akorduara nga buxhetet e mëparshme për Shkodrën. Ndërsa u tha se buxheti ka qenë i mjaftueshëm vetëm për investime të vogla si dhe për përballimin e pagave të administratës shtetërore. Deputeti Pjetër Arbnori tha se është paaftësia e shtetit për të kontrolluar nivelin e ujit në hidrocentral. Për të, janë ekspertët që duhet të kishin parashikuar situatën, duke shpenzuar që më parë për energji ujin e derdhur së fundi me hapjen e portave të digës, që solli dëme tepër të mëdha.

Socialistët

Ministri i Industrisë dhe Energjetikës, Viktor Doda, kundërshtoi akuzat e deputetëve të opozitës, duke shtuar se shkaku i përmbytjes është bllokimi i kanalizimeve dhe jo hapja e portave të digës. "Përmbytja u shkaktua, pasi kolektorët janë bllokuar nga ndërtimet pa leje dhe jo nga hapja e portave", u shpreh ministri Doda. Ndërkohë që Blushi ka hedhur dhe idenë për prishjen e këtyre ndërtimeve të paligjshme për të shmangur, sipas tij, përsëritjen e së njëjtës situatë. Për këtë proces, ai ka kërkuar ndihmën dhe të deputetëve të Shkodrës.

Fondet

Gjatë debateve në seancën plenare, si opozita dhe mazhoranca kanë rënë dakord për zhbllokimin e menjëhershëm të një fondi prej 16 milionë lekësh, për të stabilizuar gjendjen e rënduar. Deputeti i PD-së, Astrit Bushati, kërkoi nga qeveria të akordojë 16 milionë lekë për kapërcimin e situatës së emergjencës. Propozimi u mbështet nga zëvendëskryeministri Dokle, i cili hodhi poshtë akuzat e opozitës për mungesë vëmendjeje të qeverisë ndaj Shkodrës. "Nuk mund të ketë urrejtje për asnjë krahinë të Shqipërisë. Shkodra dhe Lezha do të jenë dy qytetet, që do të përfitojnë më shumë nga projekti prej 39 milionë USD i Bankës Botërore, që do t'u akordohet qyteteve të kërcënuara nga përmbytjet", theksoi Dokle. Fondi prej 39 milionë dollarësh do të përdoret për të ristrukturar argjinaturat e lumenjve që kanë sjellë më shumë përmbytje në Shqipëri. Në këtë kuadër, janë përfshirë si Shkodra, Lezha dhe disa qytete të tjerë. Ndërkohë që Dokle ka premtuar se gjatë kësaj jave do të zhbllokohet fondi i kërkuar nga deputeti Bushati.

Deputeti i PD thotë se situata është dramatike për shkak të braktisjes nga qeveria

Hoti: Shkodra do shpallet qytet-shtet

Deputeti i Partisë Demokratike, Ferit Hoti, duke e cilësuar tepër dramatike situatën në Shkodër, për shkak të pëmbytjeve prej reshjeve të shiut, tha se në rast se mungesa e fondeve do të vazhdojë, ky qytet do të shpallë vetëqeverisjen. Madje, në këtë kuadër, Hoti ka përmendur qeverisjen e qytet-shteteve të krijuar nga Platoni i lashtë. Në vitet 330 të erës sonë, Athina ishte qytet i parë i pavarur, që vetëqeverisej në sistemin demokratik që njihet dhe sot, si në fondet, në çështjet administrative, përfshirë dhe ushtrinë. "Kërkoj nga qeveria që të marrë masa urgjente për normalizimin e situatës. Janë 8 mijë hektarë tokë të përmbytura. Qeveria duhet të përgjigjet për këtë situatë. Janë bërë 11 projekte për kaskadat e lumenjve. Kërkojë të çelen fondet për këto investime në kanalizime që situata e përmbytejeve të mos përsëritet më. Në rast se nuk do të merren masat, Shkodra do të bëhet qytet-shtet", tha dje Hoti. Në këtë kuptim, deputeti i Shkodrës ka tërhequr vëmendjen se qeverisja aktuale po bllokon të githë fondet për këtë qytet, për shkakun e vetëm se ka votuar historikisht për Partinë Demokratike. Duke parë këtë situatë, Hoti është deputeti i parë që hedh zyrtarisht idenë e vetëqeverisjes së Shokdrës, në formën të cilësuar më të lashtë dhe më demokratike, atë të qytet-shtetit. Kjo është argumentuar nga fakti se shteti nuk ka hedhur sytë nga Shkodra, por vetëm e ka shfrytëzuar dhe e ka lënë në harresë të plotë.

Astrit Bushati

Deputeti i Shkodrës, Astrit Bushati, ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të fondeve për pastrimin e kanalizimeve për të shmangur përkeqësimin e situatës për shkak të reshjeve. "KESH duhet të paguajë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në Shkodër, pasi është fitimprurës. Është shkaku kryesor për përmbytjet e krijuara kohët e fundit në këtë qytet dhe jo qeveria. Shteti duhet të akordojë 16 milionë lekë fonde për pastrimin e kolektorëve në këtë qytet, pasi vetëm në këtë mënyrë do të shmangen përmbytjet në të ardhmen", tha Bushati në seancën plenare. Ai ka kërkuar marrjen e masave dhe për dëmshpërblimin e të përmbyturve, duke fjësuar KESH për këtë situatë.

Ben Blushi

Ministri Ben Blushi ka fajësuar dje personat që kanë bërë ndërtime të paligjshme për situatën e krijuar në Shkodër. Ai tha se qeveria ka marrë masa të menjëhershme për të përballuar reshjet dhe për të minimizuar dëmet. "Janë marrë masat emergjente për normalizimin e situatës, duke filluar nga zjarrfikëset që janë nisur me urgjencë nga Tirana për të thithur ujin si dhe masa të tjera. Kjo nuk është çështje që mund të zgjjidhet nga qeveria. Mos e politizoni situatën. Ju e dini sa shtëpi janë ndërtuar sipër kolektorëve në Shkodër. Të shkojmë së bashku me deputetët e zonës për t'i prishur dhe për të normalizuar situatën", tha dje Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit.

Namik Dokle

Zëvendëskryeministri Namik Dokle është shprehur dje se financimet në qytetin e Shkodrës kanë qenë të njëjta me ato të rretheve të tjera, dhe se nuk është bërë dallim politik. Madje, deklaratat e deputetëve të PD-së, ai i ka cilësuar spekulime për ndarje të qyteteve, duke shtuar se janë deklarata, të cilave u ka dalë boja.

"Në fjalimet tuaja kërkoni të përçoni urrejtjen për të ndarë Shqipërinë. Këto janë përpjekje të dështuara totalisht. Mendoj se qeveria duhet të japë fondet që kërkon deputeti Bushati. Unë respektoj mendimin e deputetëve të zonës, fjalimet e tjera unë i shumëzoj me zero", tha zëvendëskryeministri. Ai tha se do të interesohet pranë qeverisë për zhbllokimin e fondeve.

Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka denoncuar dje cinizmin dhe amoralitetin e qeverisë, që, sipas tij, po mbanë për përmbytjet në Shkodër një qëndrim primitiv dhe të turpshëm. "Ju deklaroni se përmbytja nuk ka ndodhur nga hapja e portava. Kjo nuk është e vërtetë. Sepse me hapjen e tyre fryhet Buna që shkarkohet në liqen dhe kjo sjell përmbytjet në këtë qytet", tha Berisha, gjatë debateve në seancë plenare. Ndërsa deputeti tjetër i qytetit të Shkodrës, Valentin Palaj, theksoi në fjalën e tij se janë 8 komuna, që janë të përmbytura, ndërsa dëmet janë kolosale. Ai ka falenderuar forcat e rendit dhe ushtrinë që janë gjetur në krah të popullsisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›