Gjinushi nuk paraqitet në Kushtetuese për ndarjen elektorale
07/12/2004 Gjykata Kushtetuese ka shtyrë për në datën 10 dhjetor seancën për shqyrtimin e kërkesës së bërë nga Partia Socialdemokrate për ndarjen e zonave elektorale, pasi nuk është paraqitur pala ankimuese PSD-ja. Sipas kryetarit të PSD-së, Gjinushi, mosparaqitja në këtë seancë ishte për një keqkuptim të administratës. Ndërkohë në arenën politike ky veprim është konsideruar një mesazh i qartë për Partinë Socialiste, që pa filluar negociatat për ndryshime në qeveri do të ketë një rezervim të PSD-së në çështjet që i interesojnë PS-së. Kontestimi që ka PSD-ja për ndarjen e zonave elektorale, proces që po ndërmerret aktualisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është cilësuar nga socialdemokrati si antikushtetues. Sipas tij, deformimi që po i bëhet Kushtetutës për ndarjen e zonave zgjedhore ka filluar që para një viti, gjatë Komisionit Bipartizan Gjana-Ruka, ku është shtuar një amendament, sipas të cilit zonat elektorale ndahen sipas numrit të pjesëmarrjes në votimet më të afërta. Sipas kreut të PSD-së, kjo "është totalisht antikushtetuese, pasi Kushtetuta njeh vetëm të zgjedhur dhe zgjedhës, nuk njeh pjesëmarrës dhe pjesëmarrje". Ai tha se këto janë koncepte krejt të kundërta, pasi pjesëmarrja në votime është relative".