E Diel, 1 Nëntor 2026

Mifoli, prezantimi i parë i pakëndshëm për turistët që zgjedhin Vlorën

Prezantimi i parë i pakëndshëm i të gjithë turistëve të huaj dhe vendas me Vlorën këtë vit do të jenë rreth 200 metra rrugë pranë mbikalimit hekurudhor të Mifolit, ku të gjitha makinat duhet të kalojnë mbi atë që është bërë sot një rrugë, por që në të vërtetë është një kalim mbi një tokë buke. Kjo sepse ura-mbikalim i hekurudhës është dëmtuar më shumë se tetë muaj më parë dhe askush nuk është kujtuar të bëjë riparimin e saj dhe aktualisht vazhdon ta bëjë rolin e rrugës kjo tokë buke që fillojë si kalim emergjent kur u ndalua kalimi në urën mbikalim. Gjatë përmbytjeve që ndodhën në zonën fushore të rrethit të Vlorës dhe konkretisht në komunën e Novoselës, gjatë daljes së lumit Vjosë, pësoi dëmtime edhe ura mbikalim e hekurudhës në fshatin Mifol të kësaj komune. Dëmtimi nuk ishte shumë i madh, por ai u konsiderua nga drejtues të ndërmarrjes së rrugëve i mjaftueshëm për të mos lejuar kalimin e makinave në këtë rrugë. Për një zgjidhje emergjente, sepse kjo rrugë është e vetme që lidh Vlorën me Fierin, u mendua të hapej një kalim provizor në krah të kësaj rruge. Ky kalim kalimtar është i rrezikshëm sepse kalon direkt mbi shinat e trenit. Jo vetëm kaq, por ai është një kalim shumë i dëmshëm për makinat sepse kalon direkt në një arë buke dhe nuk plotëson asnjë kusht teknik për tu kthyer në rrugë kalimi për makinat. Në këtë kalim që është pothuajse 200 metra, janë hedhur disa makina me zhavorr dhe kjo është aktualisht rruga ku kalojnë në ditë qindra makina, një pjesë e madhe e tyre makina me tonazh të rëndë. Nga këto kalime, kjo rrugë është bërë e pakalueshme dhe me pasoja për makinat që kalojnë aty, një pjesë e të cilave kanë pësuar defekte të ndryshme dhe të rënda. Premtimi i dhënë nga drejtoria rajonale e rrugëve se ura do të rregullohet shumë shpejt, nuk është mbajtur. Në hyrje dhe dalje të saj janë vendosur disa makina zhavorr për të penguar kalimin në të dhe vetëm kaq për pothuajse tetë muaj. Askush nuk ka vënë dorë në këtë urë, e cila nuk ka ndonjë dëmtim të madh. Madje teknikë ndërtimi pohojnë për gazetën se me atë dëmtim që ka pësuar ura nuk është aspak e rrezikshme për kalimin e makinave të vogla por vetëm për ato me tonazh të rëndë. Për këtë do të mjaftonte vetëm vendosja e një roje aty për të mos lejuar kalimin e makinave të rënda dhe drejtuesit e makinave të vogla nuk kanë pse torturohen duke kaluar mbi atë masë zhavorri, hedhur mbi një arë buke që vetëm rrugë nuk mund të quhet. Teknikët pohojnë gjithashtu se edhe riparimi i kësaj urë nuk kërkon shumë kohë dhe fonde por vetëm vëmendje më të madhe nga ana e kësaj drejtorie. Ndërkohë që drejtues të saj po ashtu pohojnë se e kanë në vëmendje këtë urë, por nuk kanë fond për ta bërë këtë riparim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›