E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edita Tahiri në Danimarkë

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, gjatë vizitës zyrtare në Danimarkë, është pritur në një takim nga kryesuesi i radhës i Presidencës së BE, Nicolai Wammen, ministër për Evropën në qeverinë daneze, transmeton RTK.

Temë qendrore e takimit ishte forcimi i marrëdhënieve dypalëshe mes Kosovës dhe Danimarkës si dhe avancimi i agjendës evropiane të shtetit të Kosovës.

Tahiri shprehu falënderimet për gjithë mbështetjen që Danimarka i ka dhënë dhe po i jep Kosovës për forcimin shtetit dhe aspiratave të saj euro-atlantike.

Ajo vlerësoi rolin e Danimarkës si kryesuese aktuale e BE-së në avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së, duke thënë që në këtë periudhë u hap një kapitull i ri, përmes hapjes së procesit të stabilizim asocimit, ndërsa kërkoi përshpejtim të këtij procesi dhe të liberalizimit të vizave.

Ministri Wammen theksoi mbështetjen e Danimarkës për zhvillimin dhe forcimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës duke theksuar se vendi i tij si edhe në të kaluarën do të jetë përkrahës për integrimin e plotë të Kosovës në BE, NATO, OKB dhe institucione tjera ndërkombëtare.

Duke folur në cilësinë e Kryesuesit të BE-së, Wammen tha se Kosova që është pjesë e agjendës për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor dhe se Kosova ka gëzuar përkrahjen e dhënë njëzëri nga vendet e BE-së në përparimin e rrugës së saj drejtë Bashkimit Evropian.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›