E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edith Durham, albanologia që endte në tezgjah

 

Alma Mile

Ato nuk janë të regjistruara në asnjë muze, madje askush nuk e dinte se ato ekzistonin, derisa një nga pinjollët e Libohovajve i nxori nga sepetet 100-vjeçare. Për herë të parë bëhen të njohura për publikun disa objekte personale të albanologes, Edith Durham, e cila qëndroi në Shqipëri në dhjetëvjetëshin e parë të shek. XX. Nuk bëhet fjalë për objekte dosido, por për tekstile, të cilat, “pronarët” pretendojnë se i ka endur në vegjë vetë Miss Durham. Janë mbulesa orendish, me përmasa jo shumë të mëdha, në ngjyrë të bardhë dhe me motive në ngjyrë blu e të kuqe. Ato janë pronë e familjes Libohova, në shtëpinë e të cilëve, thuhet se Durham ka bujtur për disa kohë. Dhe qysh atëherë, kjo familje ka përcjellë brez pas brezi, jo vetëm dëshminë e pranisë së saj në një nga odat e sarajeve të Toptanasve (ku jetonte familje Libohova) në Tiranë, por edhe objekte të anglezes së shquar. Janë katër syresh, të llojeve të ndryshme, të cilat janë në duart e restauratorit Frederik Stamati, i cili po merret me pastrimin dhe konservimin e këtyre tekstileve me vlera të veçanta historike.
“Kemi fatin të identifikojmë dy punime në vegjë të Miss Durhamit, të krijuara gjatë kohës që ajo ka qëndruar në Shqipëri. Janë prej filli pambuku me ngjyra e me motive gjeometrike. Rasti është interesant, pasi ato mund të quhen fare mirë si dëshmi origjinale, që na japin dëshmi për një aktivitet, të cilin ne nuk e kemi të reflektuar në dokumentet tona”, thotë Stamati.
Dhe në të vërtetë, deri më sot, përmes veprave e dorëshkrimeve, kemi njohur vetëm Durhamin albanologe dhe mendimtare, ndërkohë që përmes këtyre objekteve ofrohet edhe një dimension tjetër i kësaj figure, si një grua, së cilës i pëlqente që herë-herë të ulej në nivelin e femrës së zakonshme, shtëpiake, tipike të fillimshekullit XX, që ndër të tjera punonte edhe në tezgjah e endte. Këto tekstile janë ndër të paktat objekte të saj, që kanë ardhur deri në ditët e sotshme. “Ky fakt na shtyn të mendojmë se nëse ne do të kërkonim mjaftueshëm, në koleksionet private të familjeve të mëdha të vendit, mund të gjenim nëpër Shqipëri objekte, të cilat na japin aspekte të reja të panjohura të personazheve të ndryshëm, që pasurojnë njohuritë tona mbi personalitetet, por edhe mbi jetën sociale të kohës dhe historinë e Shqipërisë”, - thotë Stamati. Mësohet se mbi këto tekstile janë kryer të gjitha analizat e nevojshme për të identifikuar llojin e fillit, ngjyruesve, punimeve. Sa i përket motiveve, që janë shfrytëzuar, Stamati thotë se është konsultuar për këtë edhe me etnografen Afërdita Onuzi, por ende nuk kanë arritur në një përfundim, nëse bëhet fjalë për motive tipike shqiptare, apo ndikime të kulturës angleze. Këto objekte, pas procesit të konservimit, ruhen në një gjendje mjaft të mirë dhe mund të trashëgohen si objekte të rralla. Deri më tani, nuk ishte bërë e njohur ekzistenca e tyre, ndërsa tani ato mund të përdoren si material shtesë, për të plotësuar figurën e Edith Durham.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›