E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fedra” kosovare mes butaforish mitike

 

Një nga kryeveprat e klasicizmit francez, “Fedra” e Rasinit u ngjit në skenën e Butrintit një natë më parë si produksion i teatrit shqiptar të Prishtinës, bashkëpunim i teatrit “Dodona” dhe “Sythi”, me regji të Fadil Hysës. Për gati një orë e gjysmë u prezantua konflikti mitik mes pasionit dhe ndërgjegjes, ngjizjes fatale mes zjarrit të dashurisë hyjnore (Afërditës) dhe yjësisë instiktore (demi mitik, me të cilin kishte fjetur e ëma e Fedrës, Pasifea). Një vepër e vështirë. Në konferencën për shtyp, një natë pas shfaqjes, kritika ka heshtur, pa thënë asnjë fjalë, ndërsa për mediat erdhi vetëm reagimi i regjisorit, i cili protestoi se “disa nga spektatorët nuk kanë qenë të nivelit të denjë”. Ndërsa po ky spektator ka qëndruar i shtangur, në heshtje të plotë gjatë shfaqjeve të trupave greke e italiane. Varianti i Hysajt ishte një vënie në skenë me saktësi e tekstit. Skena u mbush me shtatore kafshësh mitike, maskash me koka demi. Publiku ka reaguar me të qeshura në kohën e hyrjes në skenë të “demit epshor”, që sipas regjisorit, nuk janë pjesë e tekstit, por e fantazisë së tij, e estetikës skenike. Sipas tij, nga koha antike, asgjë nuk ka ndryshuar në natyrën njerëzore. Hysaj u shpreh se “ana emocionale ka mbetur e njëjta tek njerëzit, në mos është më e varfër se më përpara”. Edhe pse regjisori thotë se “Fedra” e ka impresionuar, si një nga lëndët më të fuqishme që sillet mes pasionit dhe ndërgjegjes, konflikti më i vjetër mes epshores dhe ndërgjegjes, nuk ka mundur t’ia përcjellë këtë emocion publikut. “Fedra” e Rasinit ka ardhur përmes interpretimit të aktorëve Sheqere Buçaj, Shpëtim Kastrati, Bislim Muçaj, Basri Lushtraku, Bardha Neziri, Rabie Kryeziu. Duket se për regjisorin Fadil Hysaj, antikiteti përbën një lëmë tepër tërheqës. Brenda një periudhe të shkurtër ai ka vënë në skenë disa vepra të tilla. Sipas tij përmes tyre mund të depërtosh më thellë në natyrën dhe shpirtin njerëzor, pse jo edhe ta pastrosh atë përmes katarsisit. Pas “Fedra”-s, mbrëmë në skenën e Butrintit u ngjit për të parën herë një trupë turke. Nën drejtimin e regjisorit Nurullah Tuncer, trupa teatrore “Kocaeli Municipality Theatre” ngjiti në skenë një adaptim të romanit “Dervishi dhe vdekja” të Mesa Selimoviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›